E Diel, 1 Nëntor 2026

Tipat e dhembjeve të shpinës

Autori i Lajmit: red.
Ky është tipi më i shpeshtë. Rreth 19 në 20 raste të dhembjeve akute të shpinës klasifikohen si “dhembje të thjeshta të shpinës” (në shumicën e rasteve quhet “dhembje jo-specifike”). Këto dhembje quhen kështu, sepse nuk vijnë si rezultat i ndonjë sëmundje të pranishme. Shkaku më i shpeshtë është ndrydhja apo gërvishtja e vogël e ligamentit apo muskulit, e cila shkaktohet nga pesha të rënda, lëvizje përdredhëse e papërshtatshme ose qëndrim jo i duhur. Gjithashtu, edhe probleme të vogla të diskut ndërmjet vertebrave shkaktojnë dhembje. Në shumicën e rasteve shkaku i vërtetë i dhembjes nuk është i qartë.
Dhembje e thjeshtë nuk do të thotë se dhimbja është gjithmonë e lehtë, por ajo mund të variojë nga e lehtë deri në të fortë. Në mënyrë tipike dhembja lokalizohet në pjesën e mëposhtme të shpinës dhe dhembja shpërndahet në pjesën e të ndenjurave e të kofshëve. Dhembja lehtësohet në qetësi, ndërsa gjatë të kolliturit, të teshtimës, apo kur lëviz shpinën dhembja keqësohet.
Shumica e këtyre dhembjeve kalojnë shpejt e lehtë brenda javës së parë ose më shumë. Tre në katër raste, simptomat kalojnë brenda katër javëve, kurse nëntë në dhjetë raste simptomat kalojnë brenda gjashtë javëve. Megjithatë, edhe pse dhembja ka kaluar, zakonisht dhembje të vogla do të shfaqen edhe në të ardhmen. Në një numër të vogël të rasteve dhembjet zgjatin më gjatë se gjashtë javë, pra, për disa muaj e më gjatë, atëherë ato klasifikohen si dhembje kronike.

Dhembja me origjinë nervore
Kjo ndodh në më pak se një në njëzet raste. Kjo nënkupton që nervi që vjen nga palca e kurrizit ka pësuar irritim apo dëmtim si shtypja dhe dhembja ndihet përgjatë zonës që inervon nervi. Kështu që ju mund të ndieni dhembje përgjatë shputës apo pulpës së këmbës dhe në disa raste kjo dhembje mund të jetë shumë herë më e madhe se vet dhimbja e shpinës. Shembulli më i përgjithshëm janë dhembjet e shkaktuara nga dëmtime të nervit “shiatik”.
Dhembja me origjinë nervore varion nga e lehtë në të fortë. Ashtu si dhe e thamë më lart kjo dhembje qetësohet duke ndenjur shtrirë dhe keqësohet kur kollitemi, teshtijmë etj. Irritimi i nervit apo shtypja e tij shkakton ndjenjën e thumbimit, mpirjes apo dobësi në pjesën që inervohet nga nervi që ka pësuar dëmtimin.
Shkaku i irritimit në shumicën e rasteve shkaktohet nga inflamacioni i ligamentit apo spazma muskulare. Një shkak tjetër i njohur është dhe “rrëshqitja e diskut”(pjesa e jashtme e diskut dëmtohet dhe pjesa e brendshme e diskut fryhet, duke dalë jashtë kontureve të saj dhe shkakton shtypje të strukturave fqinjë (nervin).

Shkaktarë të tjerë të dhembjes së shpinës
Artriti (inflamacion i artikulacionit të shtyllës kurrizore), ku një formë e zakonshme e tij është osteoartriti, një formë që ndodh te njerëzit e moshuar.
Spondialtroza ankiloze është një formë tjetër e artritit, e cila mund të ndodhë te të rinjtë dhe shkakton dhembje të shpinës. Disa shkaqe të tjera, jo të zakonshme, janë anomali strukturore kockore, tumore, apo shtypja që shkaktohet nga indet fqinjë, të cilët shkaktojnë dhembje të shpinës.

Simptomat dalluese
Si mund të përcaktojmë tipin e dhembjes që kemi?
Dihet që shumica e dhembjeve të shpinës zhvillohen papritur dhe janë dhembje të thjeshta, kështu që shumica e tyre kalojnë shpejt dhe me trajtim shtëpiak. Por, megjithatë, në raste të dyshimta duhet t i adresoheni mjekut, sidomos kur ju keni këto simptoma:
-dobësi muskulare të ndonjë muskuli të këmbës;
-mpirje (mungesë të ndjeshmërisë) në pjesën e të ndenjurave, të këmbës apo shputës;
-probleme me fshikëzën e urinës apo zorrën, si për shembull, humbja e kontrollit;
-humbje peshe apo kur gjendja e përgjithshme nuk është shumë e mirë.
Dhembja zhvillohet gradualisht dhe me kalimin e kohës ajo keqësohet, kjo sidomos në rastet me shkaqe si tumore, artrite, SIDA etj. Mjeku juaj duhet të jetë në gjendje të diagnostikojë nëse dhembja është e thjeshtë apo është me origjinë nervore, nëpërmjet përshkrimit të dhimbjes, por edhe nëpërmjet ekzaminimit. Kështu radiografitë apo skaneri nuk e ndihmojnë mjekun dhe nuk tregojnë ndonjë anormalitet nëse kemi “dhembje të thjeshtë të shpinës”. Por këto ekzaminime mund të jenë të nevojshme kur dhembja me origjinë nervore zgjat dhe është e fortë ose nëse dyshohet për ndonjë anomali tjetër strukturore.

Cilat janë trajtimet në rastin e dhembjes së shpinës?

Ushtrimet dhe aktiviteti
Duhet të vazhdoni aktivitetin normal sa më shumë të jetë e mundur. Kjo fillimisht mund të mos jetë e mundshme kur dhembja është e fortë, por ju duhet t i riktheheni aktivitetit normal sa më shpejt. Ekziston një rregull i thjeshtë, që ju nuk duhet të bëni asnjë lëvizje që shkakton shumë dhembje, por, megjithatë, ju do të ndieni pak dhembje gjatë aktivitetit. Sa më të ndryshme të jenë aktivitetit, aq më mirë është.
Flini në pozicionin më të përshtatshëm të mundshëm e më të rehatshëm. Mendimi se duhet të qëndrosh pa lëvizur deri sa dhembja të kalojë është mendim i gabuar, sepse kështu keni probabilitet të zhvilloni dhembje shpine kronike.
Mjekimi
Në qoftë se është e nevojshme të marrësh analgjezikë, atëherë duhet t i marrësh rregullisht dhe jo vetëm kur dhembja është e fortë. Në qoftë se ju i merrni ata rregullisht, atëherë dhembja nuk forcohet dhe ju lejon të ushtroni aktivitetin e përditshëm.
Paracetamoli –zakonisht është i mjaftueshëm kur merret rregullisht, zakonisht merret në tableta 500 mg katër herë në ditë.
Analgjezik- Anti-inflamatorë - Për disa individë antiinflamatorët janë më të efektshëm se paracetamoli. Këtu përfshihen disa tipa si: ibuprofeni, naprokseni, diklofenaku etj, por kujdes se këto barna merren vetëm me rekomandimin e mjekut. Gjithashtu duhet pasur kujdes në pacientët që vuajnë nga astma, presioni i lartë i gjakut, sëmundje të veshkave apo të zemrës, pasi këto barna përveç efektit analgjezik kanë dhe efekte anësore.
Analgjezikë të fuqishëm - si kodeina, në rastet kur grupi më sipër nuk është i efektshëm. Efekti i kodeinës rritet kur ajo kombinohet më paracetamolin, por kujdes se kodeina ka efekt anësor konstipacionin, prandaj duhet të përdorim një dietë me fibra.
Mio-relaksantë - si diazepami kur kemi dhembje të forta muskulore, por që merren me rekomandimin e mjekut.
Trajtimi fizik
Disa individë preferojnë të vizitohen te fizioterapisti për të kryer trajtime dhe ushtrime fizike.
Trajtimet e tjera variojnë dhe kjo është në varësi të situatës: dhembja keqësohet; dhembja zgjat më tepër se 4-6 javë; simptomat ndryshojnë. Ndërhyrja kirurgjikale, në rastin kur dhembja ka ardhur si rezultat i shtypjes së nervit nga dëmtimi i diskut dhe trajtimet e mësipërme, nuk kanë dhënë rezultat.
Parandalimi i dhembjes së shpinës
Ushtrimet - qëllimi është që muskujt mbështetës të shpinës të qëndrojnë të fortë. Noti është një ushtrim mjaft i mirë, por edhe ushtrime të tjera ndihmojnë.
Qëndrimi - shmangni qëndrimin dhe ecjen jo të përshtatshme. Sa herë të jetë e mundur ecni dhe qëndroni me shpatullat dhe kokën lehtësisht lart e drejt. Kur uleni në karrige, sigurohuni që ajo të jetë në lartësinë e duhur me tavolinën. Shputat e këmbëve duhet të takojnë në tokë, kurse gjunjët të formojnë një kënd 90 gradë.
Peshat - mos e përkulni apo përdridhni shpinën kur mbani pesha, por mundoheni ta mbani drejt atë.
Nëse jeni mbipeshë, atëherë kemi një stres të lartë mbi shtyllën kurrizore dhe mirë është të bini nga pesha.

Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›