E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pasiguruarit pëfitojnë falas vetëm shërbimin e urgjencës

Autori i Lajmit: red.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, nëpërmjet projektligjit të ri që pritet të miratohet së shpejti në qeveri, synon të krijojë fleksibilitet në procesin e hartimit të paketave shëndetësore, të shoqëruara me çmimet përkatëse, duke u nisur nga aftësitë paguese të buxhetit të tij. Sipas burimeve nga ky institucion, kjo gjë nënkupton se jo të gjitha llojet e shërbimeve mund të përfshihen në paketën e financuar nga ISKSH (Fondi i Sigurimeve Shëndetësore). Sipas ISKSH-së, synimi i gjithë skemës së propozuar është pikërisht rritja e transparencës dhe fleksibiliteti në vendimmarrje. Paketat e shërbimeve janë argumente së pari teknike e më tej financiare, të cilat do të negociohen hap pas hapi me dhënësit e shërbimeve, sipas politikave shëndetësore të Qeverisë. Burimet sqaruan se përfshirja e mallrave dhe shërbimeve shëndetësore në paketën e sigurimit te detyrueshëm parashikohet të kryhet në bazë të kriterit mjekësor (shkalla në të cilën shërbimi ndikon ndaj jetëgjatësisë, ndaj shmangies së përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe kontributit në përmirësimin e cilësisë së jetës), ekonomik (efektiviteti i kostos së shërbimit, disponueshmeria e buxhetit ose e burimeve financiare të ISKSH) dhe atij social (aftësia paguese e pacientit, disponueshmëria e shërbimeve dhe numri i përfituesve në raport me popullsinë). Paketa e sigurimit të detyrueshëm do të përfshijë gradualisht mallra dhe shërbime shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor, kujdesin shëndetësor të specializuar, kujdesin spitalor, barna, aksesorë, furnizime sekondare dhe transportin mjekësor, siç përcaktohet nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së, bazuar mbi nevojat e popullsisë për kujdes shëndetësor dhe burimet financiare në dispozicion. Në këtë kuptim, sipas burimeve nga ISKSH-ja, edhe lista e barnave është pjesë e paketës dhe hartimi i saj i besohet një komisioni teknik. Struktura e listës së barnave do të bazohet në prioritetet e barnave gjenerike, duke marrë në konsideratë rekomandimet e Organizates Botërore të Shëndetësisë. Paketa e shërbimeve mund të përmbajë edhe shërbime që jepen në rastet e urgjencës mjekësore. “E rëndësishme është të theksohet që, pavarësisht se paketa ofrohet për personat e siguruar në skemë, pjesa e urgjencës nuk do të ketë kufizime, por do të jepet edhe për personat e pasiguruar dhe kjo pjesë do të financohet nga Ministria e Shëndetësisë”,- nënvizuan të njëjtat burime.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›