Kukës, pranga 6 trafikantëve të fishekëve
Shitësi shqiptar i 4100 fishekëve dhe pesë blerësit kosovarë janë prangosur gjatë operacionit të koduar "Hija"
KUKËS- Gjashtë persona janë arrestuar paraditen e djeshme në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës të akuzuar si anëtarë të një rrjeti të trafikut të municioneve. Të arrestuarit janë shitësi i fishekëve nga Shqipëria si dhe pesë blerësit e tyre nga Kosova. Tre prej tyre janë arrestuar në qytetin e Lipjanit dhe dy në atë të Podujevës, ndërsa shitësi i municioneve është arrestuar në Vermicë, në kufirin Kosovë-Shqipëri, teksa po tentonte të kalonte bashkë me automjetin e tij tip furgon. Fatos Haziri, drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës thotë se hetimet ndaj këtij grupi kishin rreth pesë muaj që zhvilloheshin, ndërkohë që arrestimi i tyre është bërë pas një operacioni të koduar me emrin "Hija". Përveç personave të arrestuar, gjatë operacionit "Hija" u konfiskuan mbi 4100 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy vetura "Golf 2" me targa KS, një furgon me targa të Shqipërisë si dhe u konfiskuar mbi 75.000 euro. Si pjesë e operacionit Policia e Kosovës ka ushtruar kontrolle edhe në tre shtëpi në komunën e Podujevës. Policia e Kosovës nuk ka bërë të ditur emrat e blerësve të fishekëve nga Kosova, por as të shitësit nga Shqipëria. Ende nuk dihet nëse materiali luftarak ka kaluar përmes pikë-kalimit kufitar, apo përmes kufirit jeshil Kosovë-Shqipëri. Trafiku i armëve dhe materialeve luftarake Kosovë-Shqipëri e anasjelltas ka kohë që funksionon, ndërkohë që policitë e të dy vendeve kanë zbuluar duke arrestuar dhjetëra persona të implikuar në këtë lloj trafiku.