E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, tritol shtëpisë së shefit të krimeve

Një sasi eksplozivi është hedhur në tarracën e shtëpisë së Përparim Dyrmos, fatmirësisht pa dëme në njerëz


BERAT- Lagjja "Donika Kastrioti" në qytetin e Beratit është tronditur në mesnatën e djeshme nga një shpërthim i fuqishëm. Një sasi eksplozivi i tipit tritol është hedhur në tarracën e shtëpisë së Shefit të Zbulimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë së Beratit, Përparim Dyrmo. Fatmirësisht shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe asnjë viktimë në njerëz. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se ka qenë ora 01:30, kur është dëgjuar shpërthimi.


Ngjarja
Shefi i antikrimit Dyrmo ka ndjerë një goditje tronditëse mbi tarracën e shtëpisë së tij dhe menjëherë ka njoftuar kolegët e tij. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe ekspertë kriminalistikë, të cilët kanë bërë rrethimin dhe këqyrjen e zonës. Nga konkluzionet e para rezulton se sasia e tritolit të përdorur është rreth 200gr, dhe se lënda është hedhur nga jashtë banesës drejt e mbi tarracën e shtëpisë. Nga shpërthimi i ndodhur mbi tarracë, në pjesën e dhomës së gjumit është hapur një gropë me rreze 1x 1.5 metër. Fatmirësisht në kohën e shpërthimit në këtë dhomë nuk ka pasur familjarë dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë të lënduar. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se janë shoqëruar në komisariat disa të dyshuar dhe po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.


Pistat
Të njëjtat burime pohojnë se shefi i anti-krimit, Përparim Dyrmo, nuk ka konflikte për motive personale apo familjare me askënd, ndaj e vetmja pistë e deritanishme hetimi e policisë është ajo e atentatit për shkak të detyrës. Pas ngjarjes, kreu i policisë, Bernard Caushaj, e cilësoi këtë ngjarje si një akt të pastër kriminal dhe si goditje ndaj uniformave blu. "Ne po punojmë intensivisht dhe e kemi ngushtuar dukshëm rrethin e të dyshuarve. Shumë shpejt autori i këtij akti të shëmtuar kriminal do të jetë përpara organeve të drejtësisë",- është shprehur drejtori Bernard Caushaj. Edhe pse ngjarja ka mbetur pa autorë, duhet theksuar se Dyrmo ka qenë në detyrën e shefit të rendit në vitin 1996 - 1997 dhe se është rikthyer në polici pas vitit 2005, ndaj pista e dyshimit shkon edhe për ndonjë hakmarrje personale.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›