Pango nën hetim për 'parate' e institutit
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme përveç hetimit për skandalin seksual ndaj ish-Ministri i Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango ka filluar verifikimin edhe në lidhje me drejtimin dhe të ardhurat që siguroheshin nga "Instituti Shqiptar i Studimeve Sociale dhe Psikologjike" e drejtuar nga "mbesa" e tij. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, të cilët shtuan se nga bisedat e ish-ministrit Pango me vajzën që kërkonte punë nga zyrtari i lartë shtetëror, është evidentuar edhe roli i tij në drejtimin e Instituti Shqiptar të Studimeve Sociale dhe Psikologjike. Institut të cilin e "drejton", sipas deputetit Pango, mbesa e tij me dokumente. Realisht nga bisedat e regjistruara dukej se Pango ishte drejtuesi i kësaj OJF-je, që sipas prokurorisë është gjykuar shkelje e ligjit për "Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike", të miratuar në prill të 2005 nga Kuvendi. "Nga verifikimi i kryer deri më tani të bisedave të regjistruara mes ish-ministrit Ylli Pango dhe gazetares që "kërkonte" punë nga zyrtari i lartë i shtetit, janë evidentuar disa pohime të vetë deputetit Pango në lidhje me drejtimin e OJF-së së tij me emrin "Instituti Shqiptar i Studimeve Sociale dhe Psikologjike". Gjatë bisedës me vajzën, të cilës për vendin e punës ish-ministri Pango i kërkonte favore intime, është vënë re se deputeti me siglën e mbesës së tij, ka pohuar se ka përfituar projekte të ndryshme. Hetuesit dyshojnë se duke shfrytëzuar postin e Ministrit të Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve Pangio të ketë përfituar nga ministritë e ndryshme në vend dhe nga BE-ja, fonde të larta për projektet që organizata e tij i ka përgatitur"- thanë burimet e akuzës. Këto fonde, sipas prokurorisë, dyshohet se janë siguruar falë ndërhyrjeve që vetë ish-ministri Pango ka pasur tek këto institucionet shtetërore apo të huaja, për vjeljen e donacioneve të ndryshme nga projektet që përgatiste instituti i tij. Sipas bisedës së regjistruar, hetuesit kanë gjykyar se dukej qartë se ish-ministri Pango i premtonte "punëkërkueses" kundrejt intimitetit një vend punë në institutin që mbesa e tij e drejtonte dhe në Ministri, duke ia rezervuar këto dy punët vetëm të besuarave të tij që i punësonte në të dy dikasteret ku ai drejtonte. Vetë Pango ka pretenduar se nuk ka kërkuar favore intime nga vajza, që kishte shkuar të dorëzonte CV-në. "Ideja ishte të ishe këshilltarja ime, me rrogë shumë të mirë, sepse do të ishe e kabinetit...Unë kam një Institut dhe po të kishe ardhur, do të të kisha treguar disa gjëra shumë interesante. Atje sapo hyn gjen 7 botime, libra, botime të Institutit, botime ku unë kam pasur të aktivizuar pedagogë dhe studentë të fakultetit... dhe ky Institut ka qenë shumë i fuqishëm, ka marrë edhe projekte 100 mijë, 200 mijë euro, 500 mijë euro të Komunitetit Evropian, UNDP... dhe gjithmonë ka pasur nevojë për njerëz....Dhe ç'kam bërë? Kam kombinuar që njerëzit më të besuar t'i kem dhe në ministri, t'i kem edhe në Institut. Meqë unë jam në ministri, quhet konflikt interesi, prandaj them që janë ca gjëra që me dash keq... prandaj doja të flisja në konfidencë. Institutin ia kam kaluar mbesës sime, që ta komandojë ajo si emër, por ndërkohë këta njerëz vazhdojnë punojnë dhe marrin projekte..."-i thoshte vajzës ish-Ministri Pango në regjistrimin e bërë nga emisioni 'Fisk-Fare". Pra, duket qartë se ministri, ndërsa ka pranuar pronësinë "de facto" mbi një institut të regjistruar në emër të mbesës, ka shkelur ligjin për konfliktin e interesave. Përveç shkeljes së këtij ligji që është laksative ish-Ministri Pango, sipas prokurorisë, ka konsumuar edhe veprën penale të "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë". Kjo vepër penale, sipas akuzës, është kryer në tërheqjen e fondacioneve të ndryshme nga OJF-ja e drejtuar nga mbesa e tij, duke shfrytëzuar postin për përfitimin e këtyre fondeve. Gjithashtu, institucioni i akuzës, konfirmon se do të verifikoj të gjithat ardhurat e fituara nga ish-ministri Pango nga kjo OJF dhe që nuk janë deklaruar në Inspektoratin e Deklarimeve të Pasurisë.
PJESË NGA REGJISTIRMI
"Ideja ishte të ishe këshilltarja ime, me rrogë shumë të mirë, sepse do të ishe e kabinetit. Plus, meqenëse ministrat shkojnë e vijnë, konjukturat ndryshojnë, unë nuk kam ndërmend të ndryshoj, por për çdo rast lëviz andej, në ndonjë ministri tjetër... nesër, pasnesër... Kuptohet, pas zgjedhjeve, se në këto zgjedhje deri në shtator, ne këtu jemi. Unë kam një Institut dhe po të kishe ardhur, do të të kisha treguar disa gjëra shumë interesante. Atje sapo hyn gjen 7 botime, libra, botime të Institutit, botime ku unë kam pasur të aktivizuar pedagogë dhe studentë të fakultetit... dhe ky Institut ka qenë shumë i fuqishëm, ka marrë edhe projekte 100 mijë, 200 mijë euro, 500 mijë euro të Komunitetit Evropian, UNDP... dhe gjithmonë ka pasur nevojë për njerëz. Njërën prej këtyre që ka punuar në Institut, unë e kam drejtoreshë këtu, edhe e kam nga më të mirat... Është S.K., është edhe një djalë që merret me projektet që njihet si Nardi. Dhe ç'kam bërë? Kam kombinuar që njerëzit më të besuar t'i kem dhe në ministri, t'i kem edhe në Institut. Meqë unë jam në ministri, quhet konflikt interesi, prandaj them që janë ca gjëra që me dash keq... prandaj doja të flisja në konfidencë. Institutin ia kam kaluar mbesës sime, që ta komandojë ajo si emër, por ndërkohë këta njerëz vazhdojnë punojnë dhe marrin projekte. Duke u angazhuar edhe ti në këtë ekip, e para këtu e mbaje variantin, e dyta siguroje edhe një të ardhur tjetër atje, që ishte goxha, ndërkohë që isha edhe unë në plotësimin e stafit"-i thoshte ish-ministri Pango vajzës, që kërkonte një punë....
LIGJI PËR KONFLIKTIN E INTERESAVE
Neni 27
"Kufizimet për anëtarin e Këshillit të Ministrave dhe zëvendësministrin"
Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministri dhe zëvendësministri:
a) nuk mund të jenë drejtues ose anëtarë të organeve drejtuese në organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale dhe çdo organizate tjetër, përjashtuar organizatat politike dhe shtetërore, si dhe në rastet kur një pozicion i tillë diktohet për shkak të funksionit;
b) nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, si dhe profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën "a" të këtij neni, si dhe nuk mund të jenë të punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
c) nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.
Neni 28
Kufizimet për deputetin
Deputeti:
a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën "a" të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.
AKUZA PENALE
Neni 260
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëtor ose i të zgjedhurve vendorë.
Kërkimi ose marrja drejtëpërdrejtë ose tërthorazi i çdo lloj përfitimi të parregullt ose një premtimi të tillë, per vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga 4 - 12 vjet dhe me gjobë nga 1 000.000 - 5.000.000 lekë.
Pasuria
Pango nuk ka deklaruar Institutin
Deklarimi i pasurisë së ish- ministrit të Kulturës Ylli Pango për vitin 2007, nuk ka të referuar Insitutin e Studimeve Sociale dhe Psikologjike. Në formularin e plotësuar me 11 shkurt të vitit të kaluar nga ish- ministri vihet re se ai ka deklaruar të ardhura 2.5 milionë lekë të reja e cila është paga e tij si ministër i i Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve. Kjo tregohet në faqen e tretë të formularit të deklarimit të pasurisë së Pangos. Po aty shënohet se ai ka pasur 750 mijë lekë të reja të ardhura nga shitja e librave të tij. Po në të njëjtin deklarim, në faqen e dytë, ish- ministri ka plotësuar si pasuri të tij 2 milionë lekë të reja gjendje kesh, si pjesë e kursimeve të tij të fituara nga të ardhurat e tij nga paga e tij si ministër i Kulturës, shitja e librave Psikoterapi dhe Psikologji Sociale. Deklarimi mban firmën e ish- ministrit në tri fqet e tij i plotësuar me datën 11 shkurt të vitit të kaluar. Kjo deklaratë pasurie përmban të ardhurat e fituara prej tij gjatë vitit 2007 ndërsa në të pasqyrohet edhe koha e fillimit të punës së tij si Ministër i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Në asnjë për prej paqyrave të deklaratës së firmosur nga ish- Ministri Pango nuk vihet re deklarimi se ai të ishte drejtues i një Instituti të Studimeve Sociale dhe Psikologjike Shqiptare, apo të kishte të ardhura prej tij. Deklarata e pasurisë e ish- ministrit, pritet të merret nga organi i akuzës në cilësinë e provës shkresore e cila do të verifikojë të ardhurat e ish- ministrit tashmë i marrë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme.