Gratë e dënuara nuk kryejnë vizita te gjinekologu
KSHH-ja inspekton burgun ku vuajnë dënimin 83 femra. Në raport flitet për një sërë shkeljesh që u konstatuan
Laureta Rryçi
Tiranë - Rreth 83 gra të dënuara që nga dita e dënimit e deri tani nuk kanë kryer asnjë vizitë te gjinekologu, edhe pse qëndrojnë në kushte të vështira. Në këtë përfundim ka mbërritur Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH-ja). Para disa ditëve, përfaqësues të KSHH-së kanë vëzhguar situatën e respektimit të të drejtave të grave që vuajnë dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”, Tiranë. Në një raport publik, KSHH-ja bën publike se duke krahasuar gjendjen e mëparshme në këtë institucion, konstatohen përmirësime të dukshme sidomos në drejtim të zbatimit të programeve edukative dhe aktiviteteve të ndryshme. Të dënuarat angazhoheshin në punë të ndryshme, si: kuzhinë, kopshtari, punëdore. Shumë prej punëve artizanale të krijuara nga të dënuarat ishin të ekspozuara. Megjithatë, KSHH-ja vëren mangësi të theksuara të kushteve fizike dhe shkelje ligjore që cenojnë të drejtat e të dënuarave.
Shkeljet
Sipas KSHH-së, infrastruktura në seksionin e grave nuk kishte ndryshuar prej disa vitesh. 83 të dënuarat ishin vendosur në dhoma prej 8 deri në 10 personash, gjë që bie ndesh me nenin 23 të Ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”. Dispozita e mësipërme kërkon që burgu të jetë ndërtuar në atë mënyrë që të plotësojë parametrat për një jetë sa më normale, me qëllim që në dhoma të vendosen sa më pak të dënuar. Nga koha e miratimit të ligjit të mësipërm kanë kaluar 9 vjet dhe ende nuk janë zbatuar projekte të reja, ku në dhoma të mos ketë më shumë se 4 të dënuar. Në këtë institucion mungon mjeku gjinekolog. Sipas drejtuesve të institucionit, ky pozicion pune nuk parashikohet në organigramën e institucionit. Në nenin 29 të ligjit të mësipërm kërkohet që në institucione të tilla të ketë shërbim shëndetësor që t’u përgjigjet nevojave për ruajtjen e shëndetit të të dënuarve, në rastin konkret të të dënuarave.
Sëmundjet mendore
“Për KSHH-në është shqetësues fakti se në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi” Tiranë ndodheshin 14 të dënuara që shfaqin probleme të rënda mendore si skizofreni, çrregullime të personalitetit”, - thuhet në raport. Në këto kushte, sipas diagnostikimit të mjekut specialist ose të komisionit të posaçëm mjekësor dhe në përputhje me ligjin, të sëmurë të tillë duhet të dërgohen në institucione të specializuara, aq më tepër që më këtë institucion nuk ka mjek psikiatër. Nga intervistat me punonjëset e rolit bazë të regjimit të brendshëm në këtë seksion u informuam për shfaqje agresive të këtyre të sëmurave ndaj personelit të institucionit. Kjo e bën të domosdoshme marrjen e masave kuruese dhe parandaluese për trajtimin shëndetësor të të dënuarave. Nga intervistat me disa të dënuara dhe konstatimet në vend rezulton se tualetet ndodhen jo vetëm jashtë dhomave, por edhe në gjendje të keqe higjieno-sanitare. Veç kësaj, higjiena personale linte mjaft për të dëshiruar për shkak të mosfunksionimit të dusheve, aq sa të dënuarat laheshin dy herë në javë, duke përdorur legen. KSHH-ja e shikon të nevojshme të evidentojë faktin se mungesa, të meta dhe shkelje të tilla janë konstatuar edhe në vëzhgimet e mëparshme.
14 Shkurt 2008