Tarifat e celularëve, ERT-ja i kundërpërgjigjet ministrit Olldashi
Në shtator 2007 ERT-ja përcaktoi operatorët celularë si OFNT. Kurse kompania Albtelekom u përcaktua si e tillë në nëntor 2007
Ervin Koçi
Pas kërkesës së bërë tri ditë më parë nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, për shkarkimin nga detyra e kreut të ERT-së dhe të disa prej përfaqësuesve të Entit për neglizhencë me detyrën, konflikti ka vijuar edhe dje. Në kundërpërgjigje të kërkesës zyrtare të bërë nga MPPTT-ja për shkarkimin e tyre, ka reaguar kryetari i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, Hydajet Kopani, i cili nuk ka vonuar t’i kundërpërgjigjet ministrit Olldashi. Në një komunikim me mediat, kreu i ERT-së u shpreh se, “ERT ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në reduktimin e tarifave të terminimit në rrjetet celulare”. Sipas kreut të ERT-së, Kopani, “në këtë periudhë të fillimvitit si dhe në vitin 2007, ERT është angazhuar në një punë intensive në zbatim të detyrimeve ligjore institucionale, që kanë të bëjnë me liberalizimin dhe rregullimin e tregut të telekomunikacioneve”. Ai ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e kreut të MPPTT-së, duke pretenduar se në tavolinën e ministrit raporti i ERT-së për tarifat celulare dhe kompanitë në tregun e shërbimeve elektronike ka qenë në muajin shtator, por që sipas tij nuk ishte marrë parasysh nga qeveria. “Në përfundim të analizave dhe procedurave përkatëse, në muajin shtator ERT përcaktoi operatorët celularë si Organizma me Fuqi të Ndjeshme në Tregun e Telekomunikacioneve (OFNT), kurse Albtelekomin në muajin nëntor 2007”, - u shpreh Kopani. Sipas tij, në përfundim të këtij procesi ligjor të konsultuar publikisht, janë përcaktuar edhe detyrimet specifike të operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg, ndër të cilat është edhe rregullimi i tarifave. Por Ministria e Transporteve nuk e ka marrë parasysh punën e bërë nga ERT-ja, duke u mbështetur në mënyrë konkrete në tarifat e telefonisë celulare, që sipas saj “janë akoma të shtrenjta për xhepat e shqiptarëve, madje nga më të shtrenjtat në botë”.
Puna e ERT-së
ERT-ja punoi paralelisht dhe me intensitet për hartimin e metodologjive të rregullimit të tarifave, detyrë të cilën e përfundoi duke i paraqitur për miratim pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në shkurt të këtij viti. Sipas kreut të ERT-së, Kopani “kjo punë nuk mund të konsiderohen neglizhencë e ERT-së dhe as analizat dhe procedurat për shpalljen OFNT të operatorëve celulare dhe Albtelekomit, të zhvilluar në vitet 2006 dhe 2007”. Më tej kreu i ERT-së tha se, ato janë vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë në frymën e direktivave të BE-së 2002, të implementuar në to, si dhe lehtësinë që krijojnë për punën e ERT-së në periudhën transitore pas aprovimit të ligjit të ri. “Nuk mund të konsiderohet neglizhencë arsyetimi që shoqëron metodologjitë e depozituara në MPPTT-së, i cili vjen si përmbledhje e një analize të thelluar për përcaktimin e parametrave dhe efekteve të metodologjive të rregullimit të tarifave të tre operatorëve OFNT", - theksoi Kopani. Sipas tij, ky material ishte i nevojshëm për shkak të përllogaritjes së objektivave dhe efekteve të rregullimit të tarifave, për të cilat ERT ka përdorur të dhëna të konsiderueshme financiare nga bilancet e kompanive celulare, të dhëna statistikore dhe të tarifave për 5 vitet e fundit. “ERT-ja në analizat e saj iu referua normës 15 për qind si normë e arsyeshme fitimi për operatorët celularë”, - tha kreu i Entit.
Tarifat celulare
Kreu i ERT-së, Kopani, u shpreh se reduktimi me urdhër të Entit i tarifës së terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare me 43 për qind në korrik 2006 ishte në interes të përgjithshëm të zhvillimit të tregut dhe jo të grupeve dhe interesave parciale e private, që solli uljen e tarifave të përdoruesve. "Nga zbatimi i metodologjive parashikohen reduktime të tarifave të përdoruesve celulare, me efekt në kursime të shpenzimeve të konsumatorëve celularë në vitin 2009 në krahasim me vitin 2007, afërsisht 2.5 miliardë lekë, reduktime të shpenzimeve të operatorëve të rrjeteve fiks kombëtare për thirrjet drejt operatorëve celularë, me rreth 465 milionë lekë në vitin 2009 në krahasim me shpenzimet në vitin 2006", - tha kreu i ERT-së.
14 Shkurt 2008