E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja, nismë ligjore për heqjen e parapagimit të 15 përqindëshit të gjobës nga biznesi

Zëvendëskryetari i LSI-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar, prof. Pëllumb Xhufi, ka kërkuar dje rishikim të Ligjit 8560 "Për procedurat tatimore të Republikës së Shqipërisë", ligj i cili në maj të vitit 2007 u amendua me iniciativë të Këshillit të Ministrave. Ky amendim ngjalli shqetësim të madh te biznesi, pikërisht në pikën 2 të nenit 43, ku sipas tij "subjektet private janë të detyruara të paguajnë në vend gjobën në masën prej 15 për qind", pa pritur apelimin dhe vendimin e Gjykatës. Sipas Xhufit, “LSI-ja e ka konsideruar këtë si një shkelje të rëndë ligjore, për arsye se ai i paragjykon dhe konsideron arbitrarisht kundërvajtës këto subjekte private, pa pritur vendimet e organeve të Gjyqësorit”. Nga ana tjetër, përvoja 6-mujore e vënies në zbatim të këtij amendimi ka treguar se ky sistem nuk funksionon, për më tepër edhe sistemi i apelimit nuk është efikas, sepse çështjet zvarriten pafundësisht apo zgjidhen shpesh herë të paragjykuara nga gjykata. Ky amendim kishte si qëllim kryesor forcimin e financave të Qeverisë për të thithur mjete monetare shtesë. Por imponimi i pagimit me forcë të gjobave në mënyrë të paragjykuar në masën prej 15 për qind jo vetëm që ka ndikuar në rëndimin e bizneseve, por mjaft prej tyre sot pas 6 muajsh të aplikimit të këtij ligji janë të rrezikuara nga falimentimi. Sipas Xhufit, “këtu nuk bëhet fjalë vetëm për falimentimin e një sipërmarrjeje private, apo të sipërmarrjeve të veçanta, por bëhet fjalë për mbylljen e vendeve të punës, gjë që shkakton edhe pasoja të rënda në ekonominë familjare”. Nisur nga këto arsye të lartpërmendura dhe duke pasur dëshirën për të evituar konfliktet e panevojshme me BE-në, në këtë fazë të rëndësishme të integrimit tonë në këtë strukturë, LSI-ja ka marrë një nismë ligjore që synon riamendimin e nenit 43 të Ligjit "Për procedurat tatimore të Republikës së Shqipërisë". Qëllimi i këtij amendimi ka të bëjë me heqjen e pikës 2 të këtij neni, i cili ligjëron këtë nismë mbi bizneset private për parapagimin e 15 përqindëshit të gjobës.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›