Ishte në kërkim për falsifikim, ndalohet 31-vjeçarja
TIRANË – Nuk ka mundur ta shijojë lirinë më shumë se një muaj një e kërkuar nga policia për falsifikim dokumentesh zyrtare dhe vizash. Pas marrjes së vendimit të togave të zeza pak kohë më parë, 31-vjeçarja kishte mundur t’u shpëtonte prangave të policisë duke u larguar nga banesa e saj në Korçë dhe strehuar në Tiranë. Policia e Tiranës njoftoi dje ndalimin e shtetases Valbona Sula, 31 vjeç, banuese në Tiranë, e cila ishte shpallur në kërkim për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ndalimi i 31-vjeçares u realizua nga forcat e Komisariatit nr. 4 të Policisë. Bëhet e ditur se kjo shtetase ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Korçë, me vendim të datës 10 janar 2007, e ka dënuar me 6 muaj heqje lirie dhe 400 000 lekë gjobë për “falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”, parashikuar nga neni 189 i Kodit Penal. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë konfirmoi se strukturat e menaxhimit operacional të saj po punojnë me intensitet në drejtim të rritjes së parametrave të rendit dhe sigurisë publike si dhe kapjen në një kohë sa më të shkurtër të autorëve të ngjarjeve kriminale.
14 Shkurt 2008