E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e liruara, lot gëzimi në burg

• “Pse nuk na kapi edhe neve lapsi i Presidentit?!”. Kjo pyetje mundonte shumë prej të dënuarave në Burgun 325 në kryeqytet.Fatos Mahmutaj Përgjigjen e jepnin po vetë: “Dhëntë Zoti, përfitojmë mëshirë në festat e fundvitit”. Dy ditë më parë ishin 64, ndërsa tashmë kanë mbetur 48, pasi dekreti presidencial liroi 16 prej tyre dhe u uli 22 vite burg 15 të tjerave. Kjo ishte arsyeja që burgu dje ndodhej në festë. Para derës së institucionit qëndronin grumbull dhjetëra persona. Të gjithë prisnin të afërmet e tyre të falura nga kreu i shtetit. Gazetarët e shumtë të pranishëm aty shkëputnin ndonjë prononcim të shkurtër nga familjarët apo të burgosurat që liroheshin. Kishte edhe nga ato që nuk i priste njeri. Janë ato që kanë kryer krime në familje dhe që janë braktisur përfundimisht prej të afërmve. Kalonin portën e burgut duke tërhequr nga pas çantat me sendet që kishin përdorur gjatë vuajtjes së dënimit në qeli. Ndoshta, këto u duhen për t’i ruajtur si relike ose për t’i përdorur sërish. Asnjë prej tyre nuk bën komente për mënyrën sesi do vazhdojë jetën pas rifitimit të lirisë. Fjalët e para sapo kalojnë portën e burgut janë urimet për kreun e shtetit. Lirimet Bedrie Veizati, më e moshuara e burgjeve shqiptare nuk e përmbante dot gëzimin. Teksa përqafonte kreun e burgjeve Gazmend Dibra, 76-vjeçarja nga Delvina nuk pushonte së uruari Presidentin e Republikës që i kishte falur thuajse tre vitet e fundit nga dënimi. Plaka ndodhej në qeli që nga viti 2002 e dënuar për tentativën e vrasjes së bashkëshortit. Te dera atë e prisnin vëllai dhe djemtë që i kishin sjellë një tufë të madhe karafilash. Ngado në Burgun 325 dje shihje sy të përlotur. Gratë e burgosura qajnë teksa punonjëset e një organizate fetare shpërndanin dhurata dhe lule të kuqe për to. Nëpër njerëzit e shumtë që ndodheshin brenda burgut ngatërroheshin disa fëmijë të vegjël. Kishin ardhur të takonin nënat e tyre të dënuara. Një pjesë e atyre kishin lindur në burg. Në oborrin e ngushtë midis qelive kishin kaluar tre vitet e para të jetës. Disa i kanë marrë familjarët më të afërt. Por në rastet kur nënat e tyre kishin kryer krim në familje, të lindurit në burg kanë “trashëguar” fajësinë dhe kanë mbetur të braktisur. Disa prej tyre kanë gjetur strehë te disa murgesha, ndërsa të tjerë te shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli”. Drejtoria e Burgjeve dje kishte marrë masa t’i sillte të gjithë për të takuar nënat e tyre. Të braktisurat Kishte edhe nga ato gra, të cilat krimi i kryer përveçse i ka mbyllur në qeli është bërë shkak që të braktisen përfundimisht aty. Një nga këto është Liljana Mulliri nga Vidohova e Devollit, e dënuar me 25 vjet burg për vrasjen më 4 shtator të vitit 2003 të fëmijës Albert Xhihani, për shkak të lidhjes intime që kishte me xhaxhain e tij Gentian Xhihani. Tashmë, Mullirin, që është e ndërgje-gjshme se për krimin meriton dënimin, do t’i duhet të kalojë në qeli çerekshekulli, e vret më shumë fakti se është braktisur nga të gjithë të afërmit, fëmijët dhe bashkëshorti. Më të lumturat në burg ishin 16 gra, për të cilat kreu i shtetit vendosi lirimin nga qelia. Drejtoresha e burgut, Marinela Sota në një miniceremoni të organizuar në një nga qelitë e burgut u komunikoi zyrtarisht dekretin duke lexuar listën me emra. Ndërsa kreu i burgjeve Dibra, vizitoi një nga një të gjitha qelitë duke takuar personalisht të gjitha të burgosurat, të cilave u dëgjonte hallet dhe shqetësimet. Rreth një orë më vonë, një nga një ato lanë qelinë mes përqafimeve dhe lotëve të shoqeve. Zyra KamberiTe burgu kishin ardhur për ta pritur veç të tjerash edhe vjehrra e saj e moshuar. Herëpashere plaka, rreth 90-vjeçare përfitonte nga largimi i burrave dhe u pëshpëriste gazetarëve të shumtë: “Kujdes mos u merrni me nusen e djalit tim se ajo është gjaknxehtë”. Plaka që qesh në çdo moment nga gëzimi për lirimin e nuses, nuk kuptohet nëse e ka seriozisht këtë që thotë, duke marrë parasysh se nusja ishte dënuar për vrasje në vitin 2000.Liljana MulliriEshtë braktisur në qeli që nga momenti i arrestimit në shtator të vitit 2005. Gjykata e gjeti fajtore dhe e dënoi me 25 vjet burg për vrasjen e të miturit Albert Xhihani, në vitin 2003. Pas krimit, shkak i të cilit ishte një histori dashurie me xhaxhain e 9-vjeçarit, Mulliri fshehu kufomën e fëmijës në një pus derisa u zbulua dy vjet më vonë. Tashmë bashkëshorti i ka kërkuar divorc ndërsa dy fëmijët e saj shumë rrallë i flasin në telefon. Kultivueset e hashashit Pesë gra nga fshati Ngjeqar i Fierit, të cilat ndodheshin në qeli pasi ishin gjetur fajtore për kultivim narkotikësh; Flora Greku, Hyrie Greku, Leko Greku, Liri Çepele dhe Qazime Ferro, u pritën te dera e burgut nga bashkëshortët dhe fëmijët e tyre. Këto pohuan se kishin qëndruar në burg rreth tre vjet pasi kishin përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe uljet e herëpashershme të dënimit nga gjykata për shkak të sjelljes së mirë në qeli. Bedrie VeizatiMë e moshuara e burgjeve shqiptare, 76-vjeçarja Bedrie Veizati ishte e para që kaloi dje portën e Burgut 325. Gjykata e kishte dënuar me 8 vjet burg pasi në vitin 2002 ka qëlluar ish-bashkëshortin pas një grindje të çastit që kishte pasur me të, ndërkohë 10 vjet më parë ai kishte vrarë të birin dhe kishte fituar lirinë me anë të një ekspertize psikiatro-ligjore që e kishte nxjerrë atë të papërgjegjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›