E Diel, 1 Nëntor 2026

S’jam penduar, i kam inat meshkujt që mashtrojnë femrat”

• Mëngjesin e djeshëm, e dënuara e amnistuar e Burgut 325, Mimoza Shota, ishte veshur me rrobat më të mira.Ferdinand Dervishi Është e njëjta që pesë vite më parë qëlloi në mes të Fushë-Krujës, me pistoletë në kokë, të dashurin e zemrës, duke i marrë shpirtin. Një xhaketë lëkure e zezë, që përthyente fort rrezet e diellit, një palë pantallona po të zeza prej stofi dhe taka të larta... Gjithçka e zgjedhur për të plotësuar saktësisht siluetën femërore, edhe pse pesë vitet në burg nuk kanë kaluar pa i lënë gjurmë në fytyrën me tipare të rregullta, të vendosur mbi një trup mbi 170 cm të gjatë dhe tepër të hijshëm. Pas vetes shtrëngon djalin 4-vjeçar, për shkak të të cilit i mori jetën një tjetër krijese që e donte gjithashtu. Ajo duhet ta ketë vëzhguar më mirë se gjithë të tjerët të birin, i cili duket i ngjan shumë të atit. Fëmijës i formohen dy gropëza të dukshme në faqe, një tipar që nuk gjendet në fytyrën e Shotës. Vajza, që rastësisht mban një mbiemër që pas ngjarjes pothuaj të gjithë shqiptarët e lidhën me emrin e një heroine të kombit, personifikim i femrës me tipare burrërore, e tregon hapur se ndihet në siklet. Duket fakti se pas pak minutash do të kapërcejë pragun e burgut për të shijuar lirinë e shumëpritur, nuk e lehtëson. Një stres që nuk dihet ngase i është shkaktuar, prej gazetarëve tepër “të bezdisur”, apo prej frikës së lirisë. Asaj lirie që rreth njëqind metra më tej, do t’i lidhte sërish jetën e tanishme me çastet më të fundit që kujtonte nga e njëjta jetë, ato të pesë viteve më parë, pas krimit, kur ende shtrëngonte në duar pistoletën. Ishte vetëm 18 vjeçe. Ç’kishte mësuar deri atëherë nga jeta? Asgjë. Edhe pse ruan një feminilitet të admirueshëm, duket se pjekuria i është ngjizur vetëm përgjatë viteve të burgut, pranë dhunës, qoftë të grave të tjera të dënuara. A ndihet në faj për atë që ka bërë? Po. Thotë se ka gabuar, se duhet të kishte gjetur një tjetër zgjidhje. Gjithsesi kjo është mënyrë të arsyetuari në qetësi. Pasi në zemërim e sipër, jashtë mureve rrethuese të vetëfrenimit, vajza 23-vjeçare nuk është e njëjtë. “Atë rrugë më kishte caktuar Zoti... Meshkujt atë mendje kanë, mashtrojnë femrat...”, lëshon dikur. Mimoza si jeni zgjuar sot? Të them të vërtetën nuk kemi fjetur fare. Mësuam lajmin nga mediat dje në mbrëmje dhe nuk na mbante më vendi. Dëgjova emrin tim... Mimoza Shota nga Fushë-Kruja... qoftë i bekuar Presidenti!Pse nuk keni fjetur fare?Nga gëzimi dëshiroja të rrija zgjuar gjithë natën me shoqet. Si në shkollë të mesme, kur mbaroi, kështu e kemi gdhirë edhe atëherë.E dini se kush ka ardhur t’ju presë?Jo, nuk e di, por do kenë ardhur ata të familjes, pasi policët më sollën edhe djalin. Tregon Enean, tashmë 4-vjeçar. A keni frikë se duke dalë në liri, të afërmit e të dashurit që qëlluat do tentojnë të hakmerren?Nuk kam frikë se do të hakmerren të afërmit e Shkëlqimit. Nuk dal me frikë. Gjithçka është zgjidhur, mendoj se gjithçka ka marrë fund tashmë.Të ka ardhur në vesh me mënyra të ndryshme ndonjë mesazh kërcënues?Jo, asnjëherë.Duke mos u ndikuar nga fakti se sot do liroheni, si e kujtoni kohën e kaluar në burg?Ditët në burg janë të vështira. Burgun nuk ia uroj askujt. Kam kaluar pesë vjet në ferr. Dy vitet e para më ndryshe, se kisha djalin e vogël dhe ishim në spitalin e burgjeve, por tre të tjerat, larg tij, ishin më të vështira. Është e rëndë që çdo festë ta kalosh me lot në sy, larg djalit, larg familjes. Nuk quhet festë, por shkak për dhimbje. Ne femrat që kemi provuar ligjet e burgut themi se ajo është një “jetë me varr në hapur” dhe jo një “jetë në burg të zi”.Si e ke menduar jetën në vazhdim?Dua të shkoj njëherë te prindërit e mi, te shtëpia ime. Më ka marrë malli për gjithçka. Dua të prek muret, mobiljet, më mungon ngrohtësia, ka pesë vjet që e ëndërroj këtë moment.  Ke menduar se me çfarë do të merresh?Këtë nuk e mendoj shumë tani. Dua vetëm që të shkoj sa më parë në shtëpi, bashkë me djalin. Pastaj, ku i dihet, këtu në burg kam marrë një diplomë për parukiere dhe një tjetër për rrobaqepëse. Të shoh njëherë. Mbase dikur do të nis një zanat të tillë.A ke bërë llogari se me kalimin e kohës duhet të ndërtosh një familje tjetër?Jo, nuk e kam mendjen aty. Dua të rris djalin, se vetëm për atë jetoj. Të flasim pak më seriozisht. Ju jeni e re, 23 vjeçe...Fillimisht dua të shkoj pranë familjes, pranë atyre që më kanë rritur djalin. Është mendim shumë i bukur që do jem pranë familjes. Pranë tyre i mendoj streset të shkuara, të ikura. Është shumë shpejt për të menduar për ndërtimin e një familjeje. Por nuk dihet, më pas jeta mund të sjellë ndryshime. Nuk mund ta përjashtoj ndërti-min e një familjeje të re.Pas pesë vitesh, si e gjykoni veprimin që kryet, momentin kur qëlluat mbi të dashurin?Kam gabuar. Nuk duhet ta kisha bërë në asnjë mënyrë. Duhet të kisha gjetur një tjetër rrugëzgjidhje. Por në ato momente nuk e mora parasysh burgun. Do të doja që atëherë të kisha këtë mendje që kam tani. Përgjatë bisedës, sidomos kur u kthenit përgjigje shoqeve të burgut, vumë re një antipati të theksuar tuajën ndaj meshkujve. Flas për meshkujt me të cilët femrat ndërtojnë lidhje dashurie...Unë nuk i vlerësoj meshkujt e tillë... Mbase, sepse Zoti atë fat më kishte caktuar. Meshkujt atë mendje kanë... Gjithë kohën mendojnë si të mashtrojnë femrat. E kam peng në zemër që nuk arrita të kem edhe unë familjen time. Atë njeri e doja shumë, por përpara se unë të bëja atë që bëra, ai më kishte shkatërruar gjithë jetën. Nuk gjeti zgjidhje të më merrte për grua. Nuk më la rrugëzgjidhje për djalin që prisja të lindja. Ishte tepër i madh për t’u abortuar, gjashtë muajsh. Më tha ta vrisja... S’ia uroj askujt këtë fat që pata.TatuazhiMimoza, mes gishtit të madh dhe atij tregues të dorës së majtë, ka një tatuazh të vogël në ngjyrë të gjelbër. Lexohet emri ENEA, shkruar me germa kapitale, i djalit të saj. Sipas Mimozës tatuazhin e ka bërë në burg, të konceptuar si diçka të vogël të pa ekzagjeruar. “Vendosa ta bëja dhe më pas kur vura re se tatuazhi më kujtonte djalin orë e çast, mendova se kisha vepruar drejt”, thotë qetësisht. Dashuria që solli një fund tragjik Mimoza Shota e qëlloi të dashurin e saj, 27-vjeçarin Shkëlqim Shima, më 16 qershor 2003, në mes të qytetit të Fushë-Krujës. Nuk kishin më shumë se 7-8 muaj që ishin njohur e dashuruar. Ai shofer i një furgoni taksi, ajo një vajzë vetëm 18 vjeçe, që shiste në një tezgë të improvizuar pranë shtëpisë së saj. Por lajmi se Mimoza ishte shtatzënë nuk ishte pritur mirë deri në fund nga mashkulli. Sipas rrëfimit të Mimozës, fillimisht Shkëlqimi kishte qenë dakord për martesë, madje deri në muajin e katërt të shtatzënisë ai ishte përkujdesur si prind perfekt. Telashet kishin nisur më pas, kur ai i kishte thënë Mimozës se prindërit e tij nuk ishin dakord me këtë krushqi. Më tej ai nis t’i bëjë presion që ajo të abortojë. Gjithçka acarohet edhe më tepër kur në lojë futen prindërit e Mimozës. Nëna e saj mëson për gjithçka kur Mimoza ishte gjashtë muajsh shtatzënë. Prindërit e saj nisen të zgjidhin problemin e së bijës, por gjithçka acarohet edhe më, madje çështja merr rrjedhë të paparashikuar kur ata nuk priten nga prindërit e Shkëlqimit. “Prindërit i shkuan në shtëpi Shkëlqimit, por babai i tij i nxori jashtë duke u thënë se s’kishte djalë për ne”, rrëfen Shota. Që nga ky moment, sipas saj, kanë nisur kërcënimet qoftë në adresë të saj, qoftë në adresë të prindërve. Madje në një rast, në shtëpinë e tyre, Shkëlqimi i qëllon të atin me pëllëmbë dhe më tej e kërcënon Mimozën se do i zhdukë të gjithë familjen nëse ajo nuk abortonte. E mbetur pa asnjë zgjidhje, vajza kërkon hakmarrje. Kujton se i dashuri i saj, Shkëlqimi, mbante pas sedijes së furgonit një pistoletë pa leje dhe shkon ta marrë. Gjithsesi para se ta qëllojë, i lutet për herë të fundit. Por ai vazhdoi kërcënimet, sharjet... Fëmija që lindi në burgEnea, djali 4-vjeçar i Mimoza Shotës, gjatë mëngjesit të djeshëm lehtësonte sadopak figurën e shqetësuar të së ëmës. Ai ishte më i avashtë dhe kuriozitetin prej fëmije sikur e kishte harruar diku. Për shkak të tij, që ai të vazhdonte të jetonte, e ëma qëlloi babanë që Enea nuk do ta njohë kurrë. Mimoza ishte gjashtë muajshe shtatzënë, kur jeta e detyroi të zbrazte armën dhe të mbyllej në burg. Enea i vogël lindi në spitalin e burgjeve. Fatmirësisht, me gjithë tragjedinë që e ëma kalonte, ai ishte një bebush i shëndetshëm. Mimoza dhe Enea kaluan më pak se dy vjet së bashku, djali frekuentoi edhe çerdhen e burgut, por më pas familja e saj vendosi ta marrë me vete në Fushë-Krujë. Enea nuk duhet të rritej në burg. Ai duhet të rritej si njeri i lirë.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›