Gratë me perçe në Francë, s'do t'u jepen dokumentet e banimit
Franca po përgatitet për ndalimin e grave myslymane që të veshin perçe në ambjentet publike si në shkolla, spitale apo transportin publik. Një komision parlametar në Francë ka rekomanduar që gjithkush që shfaq shenja të asaj që e cilëson si praktika fetare radikale, u duhet refuzuar karta e banimit dhe e drejta e qytetarisë në Francë. Raporti thekson se t'u kërkosh grave të mbulojnë fytyrën bie ndesh me parimet republikane franceze të sekularizmit dhe barazisë. Ky është raporti final i një çështjeje që ka zgjatur gjashtë muaj dhe rezultatet priteshin prej kohësh. Ndërkohë që shumë i fortë ka qenë edhe debati publik dhe polemika të reja priten, pavarësisht se në të gjithë Francën vlerësohet se janë rreth dy mijë gratë që vënë perçen. Raporti 200 faqësh ka tone mjaft të ashpra dhe komisioni i drejtuar nga deputeti komunist Andre Gerin, ka vendosur 18 rekomandime të natyrave të ndryshme. Por grupi i posaçëm i punës nuk synin që ta ndalojë tërësisht vënien e perçes. Ndërkohë që edhe në Itali, ministrja e Mundësive të Barabarta është shprehur kundër vënies në publik të perçes.