Turizmi komunitar
Fatos Çoçoli
Njihet pak në Shqipëri, por është shpresa e së ardhmes. Ky lloj turizmi e ka ngjitur Zvicrën në vendin e parë turistik në botë. Ka fshatra malorë të saj(për të cilat flet edhe një nga ish-banorët e tyre, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Francesco Frangialli) që presin turistë dhjetë herë më shumë në vit nga sa banorë kanë. Ky përafrim nuk ka pse të mos bëjë që të presim dhjetëra mijëra turistë më tepër edhe në rreth 3 mijë fshatrat që kemi. Por duhet të fillojmë të mendojmë si mund të shesim(ndoshta kjo fjalë ende tingëllon keq në shqip: le të themi se si “mund të paraqesim” përpara të huajve) traditën, objektet e kultit dhe bukuritë e mjedisit shqiptar. Një organizatë këshilluese ndërkombëtare me emrin SNV (janë shkurtimet e emërtimit “Organizata Holandeze për Zhvillim) ndërmori dy vjet më parë një nismë të veçantë. Punoi me njerëzit e fshatrave të Ersekës(më saktë komunat Barmash dhe Qendër) dhe me vetë njësinë vendore të këtij qyteti për të organizuar një komitet të planifikimit të turizmit në zonë. Pas dy vjetësh, Organizata Botërore e Turizmit jep 300 mijë dollarë për gjithë qarkun e Korçës për zhvillimin e turizmit komunitar. Mund të duken pak(dhe ashtu janë), por mjaftojnë për një fillim të mbarë. Pse turizmi shqiptar nuk është vetëm Saranda, Dhërmiu, Himara apo strukturat e betonuara të Golemit. Me qindra mijëra turistë në botë do të ishin shumë të interesuar të vizitonin kishat e muzetë e Korçës, apo Rehovën në Ersekë, apo Thethin e Razmën në veri, apo Gjinarin e pishave në Elbasan. E kështu me radhë, vargu i tërheqjeve kulturore e mjedisore të Shqipërisë nuk sos. E keqja jonë është se nuk dimë si t’ua bëjmë të njohur këto tërheqje të huajve. Dhe kur i ngacmojmë sadopak nëpërmjet reklamave në rrjete të fuqishme botërore(sikurse është rasti i reklamës në rrjetin “CNN” në periudhën mars-prill), nuk bëjmë sa duhet që këto tërheqje të paraqiten denjësisht në sitet(dyqanet virtuale) të internetit ku mund të klikohet për turizmin shqiptar. Madje ofertën e mrekullueshme të këtyre viseve nuk e kanë të plotë(madje shpesh nuk e kanë fare) edhe agjencitë tona turistike që japin e marrin me agjencitë e specializuara të huaja. Ja përse turizmi komunitar duhet të forcojë zërin e tij, i cili sot as edhe dëgjohet fare. E ç’vlerë ka një fletëpalosje e bukur, nëse aty ku harta tregon një kishë, ndodhet një fshat që nuk ka qoftë edhe një tabelë për të dhënë drejtimin e kishës? E ç’vlerë ka nëse muzetë tona dalin aq bukur në faqet e libërthave promocionalë dhe në internet, ndërsa kur turisti i huaj vjen këtu, janë të mbyllura të shtunën dhe të dielave, pikërisht në pikun e vizitave turistike? Ka ardhur koha që të ndërgjegjësohemi se me ofertën tonë të turizmit të detit dhe rërës do të jemi në gjendje të thithim shumë pak turistë, nga aq sa thithin vende si Mali i Zi dhe Kroacia. Jo pse brigjet dhe gërxhet tona që bien pingul në det janë më pak të bukura se sa ato të këtyre dy vendeve fqinje e konkurrente tonat. Përkundrazi! Por ne problemin e kemi se nuk dimë të përgatitemi. Mjafton një fakt i thjeshtë. Kroacia, përpara se sa të reklamonte bukuritë e saj dhe shërbimet turistike që ofron në “CNN”, priti shtatë vjet, duke u parapërgatitur. Kroatët e dinë mirë se nuk ka reklamë më të keqe për vete se sa ta sjellësh turistin e huaj dhe ai të zhgënjehet. I pakënaquri do t’ua mbushë mendjen të paktën njëzet vetëve të tjerë në vendin e tij, që të mos e shkelin kurrë Shqipërinë si turistë. Ndërsa efekti i kundërt arrihet kur turistët e huaj që e kanë për herë të parë ngelin të kënaqur. Por si mund të ngelen të kënaqur ndoshta me mijëra turistë që mund të kuturisen e të zbulojnë vendin tonë nga shtysa e sotme e “CNN”-it? Duke “soditur” pirgjet e hedhurinave anëve të rrugëve tona kombëtare? Duke parë kamerierin e rivierës sonë që ta përplas pjatën në tryezë e pastaj bën muhabet me pronarin e restorantit, ose shëtit sytë i uritur tek e fejuara apo vajza e turistit të huaj? Turizmi komunitar i shmang këto zhgënjime të turizmit masiv të plazhit dhe rërës tek ne, duke ofruar origjinalitetin e fshatrave tanë ruralë, mikpritjen e vyer shqiptare, një kuzhinë të pasur vendase, si edhe pa dyshim, bukuritë e natyrës dhe kulturës shqiptare. Për këtë lloj turizmi janë me dhjetëra milionë njerëz të interesuar në Evropë e më tej. Dhe ata shtohen për vit me herë më shumë se sa adhuruesit e detit dhe rërës. Ky do të jetë turizmi i së ardhmes tek ne dhe sa më shpejt qeveria e shteti ynë ta mbrojë e mbështesë këtë lloj turizmi, aq më mirë për nivelin e jetesës së shqiptarëve. E në radhë të parë, të fshatarëve të varfër pranë bukurive tona natyrore.
15 Maj 2008