E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Europian debaton për bojkotin e opozitës në Shqipëri



Eljona Ballhysa
Komiteti Europian për Zgjerimin, ndërsa ka diskutuar mbi dokumentin e strategjisë së zgjerimit të BE-së, të paraqitur nga kryetari i këtij komiteti, Gabriele Albertini, është përfshirë në debate përsa i përket situatës politike në Shqipëri. Debatet janë zhvilluar midis eurodeputetëve të djathtë dhe të majtë, anëtarë të këtij komiteti. Strategjia përmban pika që duhen pasur në konsideratë nga eurodeputetët përsa i përket situatës në vendet që janë në proces integrimi drejt strukturave të BE-së dhe ku përfshihen kryesisht vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë Shqipëria. Por, në këtë dokument nuk është përfshirë bojkoti i Parlamentit shqiptar nga Partia Socialiste, e cila konteston rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Eurodeputetja Pak ka kërkuar që në këtë dokument të pasqyrohet edhe bojkoti i opozitës. Ajo është shprehur kategorikisht kundër këtij bojkoti. Ndërsa përfaqësuesi i së majtës në këtë komitet, Kristian Vigenin, është shprehur se duhen marrë në konsideratë edhe arsyet pse opozita shqiptare ka bojkotuar Kuvendin. Ai ka bërë të ditur se gjërat nuk mund të jenë kaq të thjeshta, ndaj duhet kërkuar informacion.
Debati
Dokumenti i Komisionit vlerësonte për Shqipërinë se shumica e standardeve ndërkombëtare u arritën në zgjedhjet parlamentare, por pati parregullsi. Forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore dhe pavarësia e Gjyqësorit mbeten sfidat kyçe për vendin. Komisioni rikujton se është gati për të përgatitur opinionin, nëse Këshilli pranon kandidaturën e Shqipërisë.
Por, si strategjia e përpiluar nga Komisioni, ashtu dhe propozimi i kryetarit të Komitetit të Jashtëm, Gabriele Albertini, nuk e përmendin situatën politike të krijuar në vend pas zgjedhjeve të qershorit. “Nuk përmendet fare që opozita ka bojkotuar Parlamentin. Në amendamentet do të kërkoj që t’i bëhet thirrje opozitës që të mos rrijë rrugëve. Duhet t’u themi e të pozicionohemi qartë që opozita duhet t’i kthehet Parlamentit në Shqipëri”, - u shpreh eurodeputetja Doris Pak. Ndërsa eurodeputeti tjetër, Kristian Vigenin, u shpreh se “sigurisht ne mund t’u bëjmë apel, por duhet të marrim në konsideratë faktin se nëse ata janë jashtë, mbase kanë arsyet e tyre. Ndoshta situata nuk është kaq e thjeshtë, ndaj duhet ta përmendim këtë e të shohim më nga afër situatën atje. Nuk mendoj se opozita e një vendi që dëshiron anëtarësimin në BE duhet të qëndrojë jashtë Parlamentit, por në anën tjetër ne nuk duhet t’i mbyllim sytë që të mos shohim se ka vërtet një problem atje”, - është shprehur eurodeputeti Vigenin.
Dokumenti
“Komiteti mbështet fuqishëm strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, strategji kjo që ka treguar të jetë ndër më të suksesshmet; zgjerimet e mëparshme kanë ndikuar pozitivisht në stabilitetin, paqen, sigurinë dhe prosperitetin në Europë.
U bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të bëjnë ç’është e mundur për të zgjidhur problemet e fqinjësisë që në fazat e para të procesit të integrimit në mënyrë që këto çështje të mos bëhen pengesë në anëtarësimin në BE. Shënojmë me shqetësim problemet ekonomike me të cilat po përballen vendet e Ballkanit Perëndimore, si rezultat i krizës financiare. Mbështesim rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të këtyre vendeve si kusht për proceset integruese, por edhe si domosdoshmëri për krijimin e tregjeve ekonomike, sigurisë energjetike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Njohim progresin e bërë nga Shqipëria që nga Progres-Raporti i fundit dhe e inkurajojmë vendin që të vazhdojë thellimin e reformave, në mënyrë që Këshilli i Europës të përcaktojë brenda një periudhe të shkurtër nëse do ta pranojë aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat”, - shkruhet në këtë strategji.

Raporterët e KE-së takojnë Topin, Berishën dhe Metën
“Është e nevojshme të vazhdojnë reformat për përmbushjen e standardeve”

Raporterët e Këshillit të Europës, Dejvid Uilshajër dhe Jako Lakso, kanë takuar dje krerët me të lartë të shtetit, si presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Në këto takime, dy raporterët e KE-së kanë marrë informacion mbi situatën politike në vend, ecurinë e reformave, ndërkohë që kanë shprehur domosdoshmërinë e vazhdimit të tyre me qëllim arritjen e standardeve ndërkombëtare. Gjatë takimit me presidentin Topi raporterët kanë kërkuar informacion për reformën në Drejtësisë dhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve. Vëmendje në këtë takim iu kushtua dhe procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 në vend. Presidenti i Republikës vlerësoi standardin e këtyre zgjedhjeve, duke vënë në pah arritjet për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, regjistrimin në kohë të votuesve, ruajtjen e qetësisë para dhe pas zgjedhore, punën e strukturave dhe institucioneve përkatëse në këto drejtime etj. Presidenti Topi vuri në dukje se tashmë vendi ynë është në pritje të shqyrtimit të kandidaturës për të qenë anëtar i Bashkimit Europian dhe se në këtë pikë ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e rëndësishme që na presin, sfidat e integrimit, për të cilat duhet vullneti dhe angazhimi maksimal i të gjitha forcave politike në vend, po ashtu dhe i shoqërisë shqiptare. Nga ana e tyre, raportuesit e KE-së falënderuan presidentin Topi për pritjen dhe panoramën e detajuar e informuese të ecurisë së reformave që ka ndërmarrë Shqipëria në rrugën e saj të integrimit euroatlantik. Të dy raportuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së vunë në dukje gjithashtu edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave, përmbushjes së standardeve dhe të përparimit në këtë rrugën e sigurt të realizimit të aspiratave integruese të Shqipërisë për në gjirin e familjes së madhe europiane.

Selim Belortaja emërohet në krye të diplomacisë ekonomike

Selim Belortaja emërohet drejtor i Përgjithshëm për bashkëpunimin ekonomik pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Belortaja do të marrë funksionin e kreut të ri të diplomacisë ekonomike dhe do të fokusohet te zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik e tregtar të Shqipërisë në nivelin dypalësh dhe në atë shumëpalësh. Dr. Belortaja ka qenë drejtor Ekzekutiv i Qendrës shqiptare për tregtinë ndërkombëtare dhe vjen në Ministrinë e Punëve të Jashtme pas një angazhimi aktiv në shoqërinë civile.

Topalli takon kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë së Parlamentit të Kuvajtit

“Jemi të surprizuar nga zhvillimet e shpejta në Shqipëri. Kompanitë serioze të Kuvajtit janë shumë të interesuara të investojnë në vendin tuaj sepse biznesi këtu është i sigurt”, - tha dje kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë në Parlamentin e Kuvajtit, Walid Tabtabai, në takimin me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Duke rikujtuar vizitën e kryetares së Kuvendit në Kuvajt, deputeti Tabtabai e cilësoi si një vizitë shumë të rëndësishme dhe që pati një efekt shumë pozitiv në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryetarja e Kuvendit tha se po mirëpret me kënaqësi vizitën e kryetarit të Parlamentit të Kuvajtit, që do të ndikojë dukshëm në rritjen e nivelit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik. Ajo shprehu bindjen se marrëdhëniet parlamentare do të avancojnë më tej, edhe përmes shkëmbimit të përvojave reciproke mes deputetëve të parlamenteve të dy vendeve.

6 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›