Shtrenjtohen kreditë, bankat i rritin deri në 20 për qind
Ervin KOÇI
Ulja e fitimeve të bankave private gjatë këtij viti ka bërë që shumë shërbime përfshi dhe dhënien e kredive të pësojnë rritje. Tkurrja e fitimeve erdhi si pasojë e rritjes së provigjoneve për mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë e këqija. Bankat në Shqipëri realizuan fitime prej 1 rreth 7.6 milionë euro gjatë 9-mujorit janar-shtator të këtij viti, duke hapur mundësinë e mbylljes së vitit 2009 me rezultat pozitiv, pavarësisht vështirësive të krijuara nga kriza financiare botërore. Një vit më parë, bankat patën shënuar 62 milionë euro fitime. Kreditë që klasifikohen si "të këqija", u rritën në 9.82 për qind të totalit të portofolit, ndërsa edhe afro 8 për qind të tjera shfaqin probleme të ndryshme, përfshi vonesat në pagesën e kësteve. Përqindja e kredive të klasifikuara si standarde është ulur në 81.74 për qind të totalit, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, niveli më i ulët ky i shënuar që nga viti 2001, kur sistemi bankar u pastrua nga kreditë e këqija të trashëguara nga koha e bankave shtetërore. Sistemi bankar ka një portofol kredish prej 427 miliardë lekësh (3.2 miliardë eurosh). Kreditë e klasifikuara si të humbura dhe pa shpresë rikuperimi, u rritën në 2.68 për qind të totalit. Kjo është edhe arsyeja kryesore e zvogëlimit të humbjeve, për shkak se bankat kanë përdorur fitimet e realizuara gjatë këtij viti për të mbuluar kreditë e këqija.
Kreditë me probleme
Rritja e shpejtë e portofolit të kredive me probleme tregon, para së gjithash, vështirësitë e hasura nga individët dhe bizneset në shlyerjen e detyrimeve të veta financiare. Një vit më parë, vetëm 4.11 për qind e kredive konsiderohej si e keqe nga bankat, ndërsa sot kemi rritje me 2.5 herë të kredive të pashlyera. Vështirësitë ekonomike nuk janë pasqyruar fare në një numër të madh treguesish makroekonomikë, gjë që vë në dyshim cilësinë e statistikave. Kështu, treguesi i papunësisë, një statistikë që përpilohet nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, nuk ka pësuar asnjë ndryshim të dukshëm gjatë këtij viti, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin jobujqësor ka shënuar një rënie të papërfillshme prej 1200 vetash. Nga ana tjetër, zyrtarisht ekonomia shqiptare po rritet me mbi 5 për qind këtë vit, një rritje po aq e fuqishme sa mesatarja e dekadës së fundit. Një kuadër i tillë makroekonomik nuk shpjegon dot se pse kreditë e këqija po shumëfishohen brenda një periudhe kaq të shkurtër.
Fitimet
Bankat në Shqipëri shënuan një normë kthimi nga kapitali i vet (ROI sipas akronimit në anglisht) prej 1.79 për qind, ndërkohë që një vit më parë, ky tregues ishte 16.33 për qind. Ky është treguesi se sa para kanë fituar pronarët e bankave në raport me investimin e vet. Dy vite më parë, sistemi bankar arrinte të fitonte deri në 20 për qind në vit, ndërsa sot fitimet janë tkurrur në minimum. Kthimi mbi asetet, pra sasia e fitimeve neto në raport me mjetet totale, ishte për nëntëmujorin 2009, 0.16 për qind. Një vit më parë, ky tregues ishte 1.29 për qind. Ky është treguesi që paraqet aftësinë e bankave për të menaxhuar me efikasitet paratë që kanë në dispozicion.
METE, plan për të hequr TVSH-në e makinerive
Shumë shpejt do të mbërrijë për miratim në qeveri projektligji që heq detyrimin e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importuara. "Nuk do të ketë më shtyrje 6 muaj apo 2 vjet, sikurse e parashikon ligji aktual, por plani është për ta hequr fare taksën 20% të TVSH-së, me qëllim rritjen e investimeve",- deklaroi ministri i Ekonomisë në një takim me biznesin anëtar të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta nga biznesi, Prifti konfirmoi premtimin elektoral të LSI-së për reduktimin e TVSH-së për faturat e energjisë elektrike. "Po, është e vërtetë, e kemi premtuar, por puna është se kemi rënë dakord me Kryeministrin që uljen e taksës ta miratojmë në dy vitet e fundit të mandatit qeverisës", shtoi ministri. Sipas tij, ulja me 50 për qind e shkallës tatimore të TVSH-së për faturat e energjisë elektrike do të aplikohet pas dy vitesh, pasi me situatën buxhetore aktuale, krizën ekonomike dhe FMN-në kundër, nuk mund të ndërmerren veprime të tilla. Bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkuan nga ministri i Ekonomisë më shumë mbështetje që lidhen me çështjen e pronës, energjinë dhe taksat.
Ministri kritikoi punën e bërë nga administrata tatimore, duke e cilësuar sjelljen e tyre në shumë raste si arbitrare. "Kjo situatë duhet të mbyllet përgjithmonë. Raporti dhe bashkëpunimi me biznesin duhet të vihet në plan të parë, pasi për mua është shumë e rëndësishme", tha ministri Prifti. Kreu i METE-s vijoi më tej duke thënë se falë investimeve të bëra nga sektori privat, Shqipëria arriti të mbante një nivel të qëndrueshëm rritje ekonomike prej 5 për qind. Ministri mori ankesa nga bizneset edhe për sa i takon punës së bërë nga komisioni i apelimit në tatime, i cili e ka shtyrë kohën e procesit për kthimin e përgjigjes nga 1 muaj në tre. Një tjetër problem lidhej me projektet energjetike, ku biznese të ndryshme u ankuan për vonesa në punime. "Ju garantoj që të paktën njëra nga 4 linjat nënujore energjetike do ta përfundojë punën brenda një kohe 3-vjeçare", u përgjigj ministri.
OSSH-ë do të përmirësojë menaxhimin e kompanisë sipas Kodit të Punës
Në marrëveshjet e privatizimit me qeverinë shqiptare, OSSH-ja është angazhuar të punojë për përmirësimin e menaxhimit, të ulë humbjet teknike dhe joteknike dhe të përmirësojë rezultatet e saj në mënyrë që të rrisë cilësinë e furnizimit me energji elektrike dhe cilësinë e shërbimeve të tjera të saj për konsumatorët. Në këtë pikëpamje, OSSH-ja është duke ndërmarrë masat e nevojshme dhe është duke identifikuar fusha ku mund të punojë në përmirësimin e rezultateve të saj. Në këtë kontekst, janë duke u bërë përpjekje për të identifikuar punonjës të cilët janë duke dhunuar rregullat e brendshme të kompanisë dhe sjellja e të cilëve shkon ndesh me interesat e saj dhe të klientëve. Të gjitha nivelet e menaxhimit të OSSH-së janë informuar rreth ndërmarrjeve të tilla dhe janë duke u bërë përgatitje për të ndëshkuar sjellje të tilla të papranueshme në punë. Në përpjekjet e veta OSSH-ja ka informuar sindikatat për aktivitete si këto dhe është e angazhuar që të respektojë Kodin shqiptar të Punës, si dhe legjislacionin përkatës.
6 Nentor 2009