E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë në politikë kërkojnë më shumë vendimmarrje

Në fokus të agjendës së këtij forumi është rritja e përfaqësimit të gruas në vendim-marrje dhe në proceset integruese. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pjesëmarrëse në këtë takim, theksoi se "fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri është një çështje e rëndësishme dhe se duhet të rrëzohet muri që u vendos kuota grave".

"Roli i gruas në vendim-marrje është i pamjaftueshëm, sepse kjo është shumë e pakët nga ajo sa jemi në shoqëri. Duhet të rrëzojmë murin që i vendos kuota grave. Çështja e grave nuk është çështje e përfaqësimit, bëhet fjalë për çështje të së drejtës, ndaj nuk duhet të ketë kufizime. Për sa kohë jemi gjysma e shoqërisë, gjysma duhet të jemi kudo, në biznes, banka, administratë, në vendimmarrje e kudo", tha Topalli.

Kryeparlamentarja u shpreh se për këtë duhet solidaritet mes grave, që jo gjithnjë ekziston.  "Ne vëmë re që kur flitet për burra u falen defektet, mbyllet një sy edhe kur është fjala për korrupsion e mos angazhim total, gratë shikohen të milimetruara në çdo moment dhe nuk hezitojnë të bëjnë gjithë komentet, por nuk thonë të vërtetën e madhe, kur gruaja beson, ajo lufton deri në fund dhe e arrin", tha Topalli.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, znj. Albana Vokshi deklaroi se Shqipëria është në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat dhe se forumet politike të grave duhet të jenë më aktive  për rritjen e përfaqësimit të gruas në vëndim-marrje dhe në politikë.

Znj. Vokshi theksoi se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë janë angazhuar fort në promovimin e parimeve të barazisë në të gjitha nivelet e qeverisjes si dhe parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje, duke konsideruar se respektimi i të  drejtave  të  grave dhe vajzave është në themel të  të drejtave të njeriut .Znj. Vokshi ndërkohë shprehu  keqardhjen për mungesën e përfaqësuese të opozitës, deputeteve të PS në Parlamentin e Shqipërisë.

‘Edhe sot koleget  nga opozita nuk ia arritën të dalin nga politika kufizuese e lidershipit të tyre dhe nuk pranuan që të bashkonin me ne, zërin dhe përpjekjet për avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave në në Shqipëri-tha znj. Vokshi gjatë fjalës së saj në tryezën rajonale të forumeve politike të grave. Përfaqësueset e forumeve politike të grave nga Kosova, Maqedonia, Greqia sollën përvojat e tyre në promovimin dhe fuqizimin e rolit të gruas dhe rritjen e përfaqësimit të saj në nivelet vendim-marrëse. Takimi rajonal i forumeve politike të grave miratoi dhe një rezolutë, ku i bëhet thirrje partive parlamentare të respektojnë kuotën gjinore të përfaqësimit të gruas në politikë, duke konsideruar se gratë dhe vajzat gëzojnë të njëjtat të drejta si burrat dhe djemtë për të qenë pjesë e vendim-marrjes në strukturat partiake, në  Parlamet dhe në Qeveri. /Start/

                                                                                             2012-04-20 16:33
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›