Gratë në vendimmarrje, publiku i vë sot notë qeverisjes vendore
Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, në bashkëpunim me Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim dhe Shoqatën për Integrimin e Zonave Rurale, organizojnë sot forumin me temë “Vlerësimi i Komunitetit për Qeverisjen” për rajonin e Tiranës. Në këtë forum do të prezantohen rezultatet e “Vlerësimit të Komunitetit për Qeverisjen”, për rajonin e Tiranës; qëllimi i të cilit është adresimi i nevojave të grave në politikat lokale të qeverisjes vendore në prag të zgjedhjeve si edhe avokimi për përfshirjen e tyre në programet elektorale të partive politike për zgjedhjet vendore 2011. Në takim do të marrin pjesë përfaqësueset e forumeve politike të grave, punonjëse të administratës së qeverisjes vendore në Tiranë, aktiviste të shoqërisë civile, medias, organizatave ndërkombëtare etj. Forumi mbështetet nga UN Women dhe UNDP.