E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, 13 800 kërkesa fondi i pyetjeve për katër provimet

SHKRUAN: Jonida Tashi 13-04-2011 14:54

Plot 13 800 pyetje të ndryshme do të përgatisin hartuesit e testeve për katër provimet e Maturës, nga të cilat do të nxirren edhe kërkesat përfundimtare që do të ketë secili prej tyre. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, çdo grup lëndor harton fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa 20 (njëzetë)-fishi i kërkesave që do të përmbajë testi. Bazuar në këtë rregull, për secilin prej dy provimeve me detyrim, që janë Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, testet e të cilëve përmbajnë nga 25 pyetje, do të përgatiten 500 pyetje, që në total bëjnë 1 mijë. Kaq është fondi i pyetjeve, nëse do t’i referohemi vetëm një profili gjimnazi. Pasi, po të kemi parasysh se do të hartohen 7 lloje të ndryshme testesh, përshtatur drejtimit të shkollës, vetëm për një provim me detyrim fondi i pyetjeve është 3500, dhe 7000 për të dy provimet. Ndërsa për dy provimet me zgjedhje, testet e të cilëve do të kenë secili nga 20 kërkesa, fondi i pyetjeve vetëm për njërin prej tyre do të jetë 400. Duke qenë se për provimet me zgjedhje testet hartohen njëlloj për të gjithë maturantët, pavarësisht profilit të gjimnazit që ata kanë kryer, në total, për 17 lëndët me zgjedhje të Maturës, hartuesit e tezave do të përgatisin plot 6800 pyetje. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, për katër provimet e Maturës së sivjetshme fondi i pyetjeve do të përmbajë 13800 kërkesa, çka do të thotë më shumë larmi pyetjesh në testet e maturantëve, në mënyrë që kontrolli i dijeve të jetë sa më i shpërndarë dhe jo i përqendruar. Përpos këtij fakti, brenda këtij fondi të madh pyetjesh, ato që do të përzgjidhen për të qenë pjesë e testeve përfundimtare, do të bazohen në tre nivele vështirësie, duke filluar nga pyetjet më të lehta deri tek ato më të vështirat për nxënësit më të mirë. Për rrjedhojë, të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre në çdonjërin prej testeve të provimeve të Maturës. Kështu, në masën 40%, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë, sipas kategorizimit që u është bërë nxënësve për nivelin e tyre arsimor. Në këtë mënyrë, këta maturantë, dijet e të cilëve nuk janë për t’u lakmuar, do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos rezultuar mbetës. Ekzistenca në shkolla edhe e nxënësve jo të mirë ka çuar në këtë vendim të specialistëve të AVA-s, në mënyrë që edhe kjo kategori të mos mbetet pa iu përgjigjur asnjë pyetjeje në provim. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit pak më të mirë në mësim se të dobëtit, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Në këtë mënyrë, maturanti i nivelit të tretë ka të ngjarë të marrë 40% të pikëve (nëse është i mirë për nivelin ku bën pjesë), ata të nivelit të dytë 80%, dhe maturantët e nivelit të parë 100% të pikëve, pra vlerësim maksimal.

500 fondi i pyetjeve vetëm për një provim me detyrim, testi i të cilit do të përmbajë 25 pyetje, nga këto 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim

400 fondi i pyetjeve vetëm për një provim me zgjedhje, testi i të cilit do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 me alternativa dhe 10 me zhvillim

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›