Gratë për art
Artistët dhe artistet e reja do të bashkohen në një vend për të promovuar dhe për të përfituar nga talenti i tyre, të cilin do ta shfaqin në fusha të ndryshme të artit.
Promovimi i tyre do të bëhet nëpërmes punimeve dhe paraqitjeve të llojllojshme që do të jenë pjesë e panairit të parë të organizatës Gratë në Biznes. Ky panair, që quhet Arts & Crafts, për tri ditë radhazi (më 16,17 dhe 18 gusht) do të mbahet në sheshin Nëna Terezë, në Prishtinë. Aty, artistët e rinj të talentuar do të prezantojnë punimet e tyre në pikturë, fotografi, skulpturë, grafikë, dizajn, modë, etj.
Sipas Hamide Latifit, drejtoreshë e organizatës Gratë në Biznes, qëllimi i organizimit të këtij panairi është krijimi i një hapësire për të rinjtë, ku ata do mund t’i ekspozojnë, t’i shesin dhe eventualisht të prekin tregun me veprat e tyre.
“Do të jenë këta artistë të rinj, që faktikisht nuk kanë treg, dhe që nuk kanë mundur ende të zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Vetë ideja është që t’i nxjerrim në dritë, t’ju krijojmë pak mundësi të ekspozimit dhe, sigurisht, edhe të krijimit të përfitimit përmes shitjes”, u shpreh Latifi.
Sipas Latifit, në panairin me karakter ekspozues edhe shitës, të drejtë pjesëmarrjeje do të kenë vetëm 15 artistë, megjithëse, nëse të rinjtë do të shprehin interesim dhe nëse ky panair do të bëhet tradicional gjatë viteve të ardhshme,ky numër mund të ndryshojë.
Latifi, po ashtu nënvizoi se nga organizimi i këtij panairi pret që të rinjtë do të nxiten që edhe më tej të merren me art dhe ta zhvillojnë atë.
“Sigurisht që pres që edhe ta lidhin pak më mirë veprimtarinë artistike me biznes, dhe që atë ta shndërrojnë në një formë të biznesit të mirëfilltë”, sqaroi ajo.
Ndrysh, artistët e interesuar për pjesëmarrje formën e aplikacionit mund ta kërkojnë përmes e-mailit; info@gratenebiznes.com. Data e fundit për aplikim është 12 gushti 2011.