E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikimania për Wikipedia’n

Në qytetin izraelit Haifa sivjet u mbajt konferenca e rregull vjetore kushtuar web-faqes Wikipedia, e cila paraqet njëlloj leksiku në internet. Njëri nga themeluesit e Wikipedia’s, Jimmy Wales, ka bërë një përmbledhje të bilancit të ekzistencës së saj dhjetëvjeçare. Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 11:53

Wikipedia është vërtet një mjet praktik në internet, i cili siguron një ndihmë të madhe për mbledhjen e informacioneve. Mirëpo, a mundet që ajo vërtet të zëvendësojë një leksik, meqenëse brenda saj nuk ka as redaktorë profesionistë, as lektorë e as botues?

Lidhur me këtë pyetje, njëri prej themeluesve të web-faqes Wikipedia, Jimmy Wales, përgjigjet se:

“Ne gjithmonë përpiqemi që të aplikojmë kritere të ashpra. Studimet shkencore kanë dëshmuar se tekstet tona qysh tani janë goxha, dhe se ata po vazhdojnë që të përmirësohen. Për shembull, Wikipedia në Gjermani, krahasuar me leksikun klasik Brockhaus, ka treguar rezultate dukshëm më të mira”.

Leksiku online Wikipedia po zgjerohet nga dita në ditë, dhe kjo po ndodhë tash dhjetë vjet. Ajo ekziston në një numër të madh të gjuhëve, përfshirë këtu edhe gjuhët si hindu dhe suahili. Për nga numri i vizitorëve ajo radhitet në vendin e pestë të web-faqeve më të vizituara në internet. Rrjedhimisht, edhe nuk habitë fakti se deri më tani nuk është shfaqur asnjë konkurrencë serioze për të. Jimmy Wales i shpjegon arrest se përse ndodhë kjo.

"Çështja është se Wikipedia nuk është një biznes fitimprurës. Prandaj edhe nuk kemi ndonjë konkurrencë komerciale. Ne nuk fitojmë para, sepse nuk kemi asnjë lloj reklame në web-faqe. Së këndejmi, një konkurrencë do të ishte e mirëseardhur për ne. Nëse dikush publikon diçka kualitative dhe atë pastaj e bënë të qasshme për të gjithë, sikurse që e bëjmë ne, atëherë kjo gjë vetëm sa do ta forconte idenë tonë, dhe ne këtë veprim do ta mirëprisnim", thotë ai.

Wikipedia, pjesë e trashëgimisë botërore

Wikipedia vazhdimisht e rithekson se të gjitha informacionet e botuara aty duhet që paraprakisht të lexohen me kujdes. Në raste të diskutueshme kryhen përmirësime, ose debate rreth asaj se si një temë do të duhej të përpunohej më mirë. Përkundër kësaj, gazetarët ende kanë frikë se në Wikipedia do të mund të merrnin ndonjë informacion të gabuar.

"Vërtetë është gjë e mrekullueshme nëse gazetarët e përdorin Wikipedia’n, por jo që me ato informacione të mbushin tekstet e tyre, por që të jenë në gjendje të bëjnë pyetje më të mira.

Veç kësaj, falë Wikipedia’s, gazetarët në të ardhmen do të duhej të niseshin nga ajo se audienca e tyre di gjithnjë e më shumë. Së këndejmi, mediat do të duhej që të bëhen më kualitative, meqenëse ato më nuk do të kenë nevojë që tekstet dhe reportazhet e tyre t’i thjeshtësojnë aq shumë, si sot", komenton Wales lidhur me këtë çështje.

E për fund, ja edhe një vështrim paska filozofik lidhur me fenomenin e Wikipedia’s. Shefi i seksionit gjerman të Wikipedia’s, Pavel Richter, thotë se autorët e web-faqes konsiderojnë se po bëjnë një "mision humanitar arsimor". Prandaj, Richter propozoi që Wikipedia të fitojë statusin e trashëgimisë botërore. As Jimmy Wales nuk e konsideron këtë një ide të keqe.

"Pas 500 viteve njerëzit do të thonë për Wikipedia se ajo ishte fillimi i një epoke të re. Kjo për shkakun se njerëzit asokohe, përmes një bashkëpunimi global, kishin filluar të shënojnë shumë fakte të njohura dhe t’i ndanin ato me gjithë të tjerët. Ky është një moment i kthesës historike kulturore. E vërtetë, kjo gjë përnjëmend do të mund të identifikohej si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore". përfundo ai.

Ndryshe, konferenca e sivjetme e autorëve të Wikipedia’s në Haifa përfundoi të shtunën, më 7 gusht.

Numri i pustuesve po shënon rënie

Gjatë dy viteve të fundit, numri i shfrytëzuesve të Wikipedia, të cilët postojnë përmbajtje të reja, ka shënuar rënie. Paralelisht, që nga viti 2009, edhe numri i personave që i redaktojnë përmbajtjet e web-faqes ka stagnuar.

Si rrjedhojë, kohë më parë Jimmy Wales u ka bërë thirrje shfrytëzuesve që të vazhdojnë të kontribuojnë me përmbajtje të reja. Me qëllim të nxitjes dhe lehtësimit të publikimit të përmbajtjeve të reja, ai madje ka paralajmëruar edhe një interface (dukje dhe mënyrë operimi) krejtësisht të ri të Wikipedia’s.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›