Krimi shqiptar, nga Xhamajka deri në Iran
Krimi shqiptar vazhdon të përhapet me shpejtësi në të gjithë rruzullin tokësor, teksa dhjetëra kërkesa nga autoritetet e huaja kanë mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme pas miratimit të ligjit “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale”. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën “Shqip” se autoritetet e drejtësisë së Xhamajkës kanë kërkuar informacione për disa shqiptarë që ishin rezidentë, të cilët dyshoheshin për falsifikim pasaporte. Informacioni ka qenë nëse këto pasaporta janë lëshuar nga autoritetet vendore në Shqipëri. Ndërkaq, sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, kërkesa ka pasur edhe nga Kina, ku disa shqiptarë dyshoheshin për kontrabandë. Informacionet që kanë mbërritur në drejtësinë shqiptare flasin se edhe shteti islamik i Iranit, një vend komunist, ka sjellë kërkesa për individë shqiptarë, ku kërkon informacione. Mësohet se kërkesat e vendit islamik kalojnë në “sitë” dhe zyrtarisht në akuzën qendrore nuk ka mbërritur ndonjë kërkesë për njohje vendimi penal apo informacione nëse shtetas shqiptarë kanë precedentë penalë.
Përhapja e krimitNga të dhënat e zyrave të marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë vihet re se “harta” e krimit shqiptar është zgjeruar vitet e fundit. Vendet tradicionale me kriminalitet të lartë shqiptar, si Italia dhe Greqia, janë zëvendësuar me shtetet e Gjermanisë dhe Anglisë, ku shumë shqiptarë kanë emigruar për një jetë më të mirë. Ndërkohë, në këto zyra për marrëdhënie me jashtë, kanë mbërritur kërkesa nga shumë kontinente, ku kërkohen informacione dhe të dhëna për shtetas shqiptarë. Nga raportet periodike të këtyre zyrave shikohet se krimi shqiptar po pëson rritje edhe në shtetin turk, ku shumë shqiptarë jetojnë si rezidentë apo kryejnë studimet, ndërsa kërkesa kanë mbërritur edhe nga shtete si Austria apo Franca. “Kërkesat më të mëdha për njohje vendimi penal të huaj, ekzekutim letër-porosie janë nga vendet perëndimore, në të cilat funksionojnë më së miri zyrat e marrëdhënieve ndërkombëtare”, thanë burimet nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa shtojnë se ka pasur rritje të kërkesave për informacione edhe nga vendet e Amerikës Latine. Në SHBA, sipas prokurorisë dhe ministrisë, krimi shqiptar ka zëvendësuar krimin italian dhe shumë banda funksionojnë si klane. Këto të dhëna janë të njohura për drejtësinë shqiptare, e cila ka ekstraduar në këtë shtet dhjetëra persona, në bazë të marrëveshjes dypalëshe të firmosur rreth vitit 1930, ku në krye të shtetit shqiptar qëndronte mbreti Zog. Sipas të dhënave, krimi shqiptar është rritur edhe në vende pak të njohura të Amerikës Qendrore, kryesisht në zonat turistike, ku shumë shtetas shqiptarë kryejnë pushimet apo kanë ngritur edhe bizneset e tyre. Ndërsa nuk mungojnë as të dhënat se shtetas shqiptarë dyshohen për trafik narkotikësh nga vendet e Meksikës apo Kolumbisë. Informacione për “krim shqiptar” ka pasur edhe nga Amerika Jugore, ku shqiptarët jetojnë kryesisht në Brazil dhe Argjentinë, por mungesa e marrëveshjes dypalëshe me këto vende ka sjellë shpeshherë edhe dështimet e ekzekutimeve të letër-porosive. Drejtësia shqiptare kërkoi disa muaj më parë ekstradimin e bosit të firmës piramidale “Driza”, Bashkim Driza, nga shteti i Uruguait, por ai u lirua më pas, duke u arratisur.
Kërkesat në gjykatëProkuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë depozituar në Gjykatën e Tiranës, por dhe në ato të rretheve, dhjetëra kërkesa ku u kërkojnë togave të zeza të ekzekutojnë letër-porositë e autoriteteve të huaja penale. Prokuroria i është drejtuar gjykatës të ekzekutojë një kërkesë të shtetit austriak për shtetasin shqiptar Abedin Biberaj. Gjykata e Shtetit Wiener, Neustadt, Austri, kishte si objekt “komunikimin e akteve, të një vendimi në lidhje me shpenzimet gjyqësore. Meqenëse Biberaj vuan dënimin në Vaqarr për vrasje, kërkesa ka mbërritur në Tiranë ku i njoftohet këtij shtetasi se “shpenzimet e rrumbullakosura caktohen 2000 euro”. Një tjetër letër-porosi është ekzekutuar nga Gjykata e Tiranës për shtetasin Hysni Cani, i cili kërkohej në shtetin turk. Ndërkohë, shteti grek ka kërkuar si dëshmitarë në një proces gjyqësor dy biznesmenë.
#