E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: 2008, viti i Shqipërisë dhe Kosovës



Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, mori pjesë në darkën ku dy politikanë amerikanë, Eliot L. Engel dhe Frank G. Wisner u nderuan me çmime për përpjekjet e tyre të veçanta për Shqipërinë dhe Kosovën. Çmimi "Duart e Shpresës" për F.G. Wisner, ambasador i SHBA-së në grupin e bisedimeve për statusin e Kosovës dhe ai i "Arritjeve të Përjetshme" për përfaqësuesin e kongresit amerikan, Eliot L. Engel, u akordua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC- National Albanian American Council), i cili ka nderuar me çmime të tilla dhe figura të tjera të shquara si B. Klinton, M. Ollbrajt, B. Dole, J. Rubin, Soren Jesen Petersen, U. Klark. Në mbrëmjen "Të përqafojmë pjesëmarrjen e shëndoshë të shqiptarëve në bashkësinë botërore", krahas shumë bashkatdhetarëve ishin të pranishëm dhe ministri i Jashtëm, z. Lulzim Basha dhe përfaqësuesi në OKB, z. Ardian Neritani. Përfaqësuesi i kongresit amerikan, Eliot L. Engel, solli në vëmendje se me shqiptarët ka 20 vite pune dhe bashkëpunim. Më 17 shkurt, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ai u radhit si i pari personalitet i huaj që përshëndeti këtë ditë të veçantë për popullin kosovar dhe iu drejtua Kuvendit të Kosovës. Me çiltërsinë e një miku që e di mirë suksesin e bashkëpunimit me shqiptarët, Engel iu drejtua të pranishmëve se “nëse doni që të investoni, i drejtoni investimet tuaja në Kosovë. Nëse doni të vizitoni një vend dhe të krijoni lidhje me njerëz, drejtohuni nga Kosova dhe njerëzit e saj. Ju kërkoj që të flisni vazhdimisht me personalitete të politikës amerikane dhe t'iu drejtoheni atyre për ndihmë”. Në rrjedhën e mbrëmjes, ministri i Jashtëm, z. Lulzim Basha, pasi falënderoi organizatorët për ftesën, nënvizoi se në harkun e një viti takime të tilla që plotësojnë njëri-tjetrin janë rasti më i mirë për të treguar arritjet se çfarë viti i suksesshëm ishte ky. “Një vit që dha një punë të palodhur dhe përpjekjet e individëve e të familjeve shqiptaro-amerikane me përkushtim për Shqipërinë dhe Kosovën. Secili prej jush është një ambasador i Shqipërisë dhe i Kosovës...”, - tha ministri Basha. Kreu i diplomacisë shqiptare gjeti rastin që të falënderonte dhe Presidentin Xhorxh W. Bush për Pavarësinë e Kosovës dhe Ftesën e Shqipërisë për Anëtarësim në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›