E Diel, 1 Nëntor 2026

Grekën e bëjnë rrrugë, i mohojnë vizat edhe Kombëtares së boksit

• Tjetër absurditet nga diplomacia e huaj për sportistët kuqezi. Vetëm pak ditë nga mohimi i vizës për Sahit Prizrenin nga ambasada italiane, çka vuri për pak në rrezik Evropianin e Tamperes, sporti shqiptar merr sërish një shuplakë.

Ambasada greke i ka mbyllur derën kombëtares të boksit duke i mohuar kështu të drejtën për të marrë pjesë në turneun kualifikues në Athinë për në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Ky fakt bëhet i ditur nga trajneri i ekipit kombëtar të “dorezave” Zef Gjoni. “Sot (dje) ekipi kombëtar i boksit duhet të ishte në Greqi pasi do të merrte pjesë në një turne ndërkombëtar boksi i cili ishte i vlefshëm për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike në “Pekin 2008”. Pikërisht sot (dje) paradreke në orën 10.30 është hedhur edhe shorti i ndeshjeve të këtij turneu. Më vjen keq se për këtë turne kemi zhvilluar 15 ditë stërvitje në Itali me ekipin kombëtar italian. Gjithashtu jemi grumbulluar edhe 15 ditë të tjera që ne të paraqiteshim sa më denjësisht. Edhe pse ekipi ynë i boksit ka marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtar duke filluar nga ShBA deri në një shumicë vendesh në Evropë, vetëm ambasada greke në Tiranë na ka mohuar dhënien e vizave për 4 boksierët dhe trajnerit”, u shpreh kreu i boksit kuqezi. Sipas Zef Gjonit gjithçka është absurde pasi dokumentacioni ishte i plotë, ftesat ishin të rregullta nga Federata Greke e Boksit dhe përgjigjen mund ta merrni vetëm tek zv/ministri i jashtëm, tek ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe tek Federate Shqiptare e Boksit të cilët janë në dijeni të asaj çfarë na ka ndodhur. Përfundimisht shuhet ëndrra e kuqezinjve të boksit për një biletë në “Pekin 2008”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›