E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, Profesionalet kusht letërsinë e matematikën

• Maturantët e shkollave të mesme profesionale duhet të japin këtë vit Matematikën dhe Gjuhë-Letërsinë si provime të detyruara.

ZIRINA LLAMBRO

Këtë bën me dije Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ndonëse ky vendim ishte paralajmëruar që në shtator të 2007-ës. Me nisjen e vitit të ri mësimor, nxënësit e shkollave profesionale kanë marrë në duar programet orientuese, të cilat përmbajnë konceptet kryesore mbi secilën lëndë. Ky diferencim mes maturantëve të tjerë, që programet i morën në rreth dy muaj më parë është bërë për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të shkollave profesionale. Këta nxënës zhvillojnë lëndët për të cilat do të testohen në vitet e para, të dyta, të treta të shkollimit të tyre të mesëm. Disa degë të shkollave 5-vjeçare i zhvillojnë këto lëndë edhe në vitin e 4-t. Bazuar mbi pesë komponentët e maturës shtetërore, MASH ka përcaktuar edhe përqindjen përkatëse, që provimet e detyruara do të kenë në shkollat profesionale e ato social-kulturore. Kështu për kategorinë e parë, Letërsia do të ketë peshën 15%, ndërsa matematika 25%, të totalit të pikëve të maturës”. Në shkollat social-kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike): Matematika 15%, Letërsia dhe Gjuhë shqipe 25%, të peshës së pikëve të maturës”, sqaron zyra e shtypit të MASH. Sipas këtij dikasteri, ndryshe nga sa është përcaktuar për shkollat, maturantët e shkollave profesionale do të ndajnë 40% të provimeve të detyruara, sipas përcaktimeve të mësipërme. Nxënësit e shkollave profesionale, që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike nga sa është vendosur duhet të japin provimet e  Matematikës që i përket Maturës Shtetërore dhe provimin shkollor  “Teori dhe praktikë profesionale”. Nxënësit e shkollave social-kulturore, që nuk do të nisin universitetin, janë të detyruar të japin Letërsinë dhe Gjuhën shqipe (pjesë e  Maturës Shtetërore si dhe provimin shkollor “Teori dhe praktikë profesionale”. Specialistët e ministrisë kanë dhënë gjithashtu argumentet e tyre për vendimin e marrë për nxënësit e shkollave profesionale”. Ata duhet t’i nënshtrohen provimeve të detyrueshme të matematikës dhe gjuhës shqipe, për shkak se shihet si domosdoshmëri marrja e një  kulture të përgjithshme, në përshtatje me zhvillimet e sotme”, deklarojnë specialistët. Sipas tyre, nxënësit e këtyre shkollave nuk diskriminohen, në krahasim me gjimnazistët, pasi do të kenë një koeficient po aq favorizues për fakultete të tjera, që ua jep pikërisht provimi në fjalë. “ Për t’i ardhur në ndihmë maturantëve, MASH ka nxjerrë udhëzimin, i cili cakton një mësues që do të bëjë konsultime një orë në javë për lëndët letërsi/matematikë dhe që do të paguhet nga shteti me orë plus”, bën me dije ky dikaster.

Shkollat profesionale provimet me detyrim

Letërsia 15%, matematika 25% të totalit të pikëve
Shkollat social-kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike): Matematika 15%, Letërsi dhe Gjuhë shqipe 25%.

5 komponentët e Maturës në gjimnaze
Mesatarja e shkollës së mesme (20%)
Provimi 1 i detyruar (D1, Gjuhë-Letërsi, 20%)
Provimi 2 i detyruar (D2, Matematikë, 20%)
Provimi 1 me zgjedhje (20%)
Provimi 2 me zgjedhje (20%)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›