Grekët: Emigrantët të bëjnë durim, këto janë kushtet
Në takimin me policinë e Janinës për masat në kthimin e emigrantëve, pala shqiptare kërkon shtimin e sporteleve
Drejtori Paleopanos: S'duhet të na keqkuptoni. Emigrantët shqiptarë, më shumë durim, pasi të tilla janë kushtet
KAKAVIJË- "Emigrantët shqiptarë duhet të tregojnë më shumë durim në kufi, pasi të tilla janë kushtet". Kjo ka qenë deklarata e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Janinës, Athanasios Paleopanos gjatë një takimi dypalësh të organizuar ditën e djeshme në Stacionin Kufitar të Kakavijës. Deklaratë që lë të nënkuptohet qartë se radhët në kufi do të vazhdojnë. Ndërkaq, kërkesës së vazhduar të palës shqiptare për shtim të numrit të sporteleve, si pasojë e dyndjes së madhe të emigrantëve, përfaqësuesit grekë nuk kanë dhënë asnjë shpresë. Sipas tyre, të tilla janë mundësitë dhe kapacitetet. Masat e marra për përballimin e fluksit të emigrantëve, lufta ndaj kriminalitetit dhe trafiqeve të të gjitha llojeve kanë qenë në qendër të këtij takimi, ndërmjet përfaqësuesve të Drejtorive të Policive të Gjirokastrës e Janinës.
Takim
Takimi, sipas drejtorit të Janinës, vjen pas një bashkëpunimi të gjatë e të frytshëm dypalësh. Ai është shprehur i gatshëm për ndihmë, por nuk ka garantuar përmirësim, duke e argumentuar këtë me mungesën e kushteve. "Ne jemi shumë të interesuar të ndihmojmë shtetasit si shqiptarë ashtu edhe grekë që kalojnë në kufi dhe kemi marrë masa për shtimin e sporteleve dhe efektivëve, por mundësitë janë të tilla. Ndaj nuk duhet të na keqkuptoni dhe emigrantët shqiptarë duhet të tregojnë më shumë durim në kufi, pasi të tilla janë kushtet",-është shprehur Paleopanos. Ndërsa prefekti i qarkut Gjirokastër, Spiro Ksera, në takim u ka përcjellë të dy palëve porosinë e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për krijimin e të gjitha lehtësirave të mundshme për emigrantët në pikat kufitare. "Gjatë kontakteve që kam pasur gjatë ditëve të fundit me kryeministrin Berisha, ai ka qenë mjaft i interesuar në lidhje me lëvizjen e emigrantëve. Ndaj duke ju përcjellë edhe porosinë e tij, të dyja palët duhet të krijojnë lehtësira për lëvizjen e emigrantëve gjatë ditëve të fluksit",- ka shtuar Ksera.
Konsulli: Këtë vit, fluksi i paparë
Edhe konsulli shqiptar në Janinë, Eshref Shehu, pasi ka vlerësuar mjaft punën e bërë si nga pala shqiptare ashtu edhe nga ajo greke në stacionin e policisë kufitare të Kakavijës ka deklaruar se fluksi i këtij fundviti ka qenë mjaft I madh. "Duhet të themi se bashkëpunimi dhe puna e kryer ka qenë mjaft e mirë, por fluksi i emigrantëve gjatë këtyre ditëve të fundit ka qenë i paparë, shumë më i madh se çdo vit tjetër",-është shprehur Shehu. Ndërkaq, përfaqësuesit e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë këmbëngulur në shtimin e sporteleve nga ana e palës greke. "Shtimi i numrit të sporteleve nga pala greke në Kakavijë ka qenë kërkesa jonë drejtuar homologëve, veçanërisht për ditët e kthimit të emigrantëve. Gjithashtu në fokus të takimit kanë qenë edhe pika të tjera, si lufta ndaj trafiqeve të paligjshme", - ka deklaruar për mediat, drejtori i policisë së Gjirokastrës, Hysni Burgaj. Rreth 60 mijë emigrantë kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet Kakavijës përgjatë dy javëve të fundit, duke shënuar kështu një fluks tepër të madh, ndërsa gjatë ditës së djeshme nga pala greke është punuar me 4 sportele.