E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria pranon të ngrejë një strukturë monitorimi të re

Paratë e hedhura në projekte të ndryshme në kuadër të integrimit në BE, tashmë nuk do të shpenzohen pa një kontroll të mirëfilltë. Shuma e akorduar për tri vitet e ardhshme, rreth 270 milionë euro, detyroi Bashkimin Europian t‘i kërkojë qeverisë krijimin e një strukture të posaçme për monitorimin e projekteve që financohen nga IPA (instrument i parazgjerimit). Gjatë fazës së miratimit të fondit, palët kanë rënë dakord për ngritjen e një agjencie audituese për të gjitha projektet që do të financohen nga IPA. Agjencia do të ketë pavarësi të plotë, por për punën e saj mban përgjegjësi ministri i Financave.

Në plan të parë duket se qeveria po dublon punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili mbikëqyr edhe projektet e huaja, por ish-zëvendësministri i Financave, Shehu, thotë për "Shqip" se, rolet e institucioneve përkatëse nuk do të ndryshojnë. "Ndryshe nga herët e kaluara, tashmë fondet e BE-së do t‘i menaxhojmë vetë, pra do t‘i prokurojmë sipas modelit tonë. Kjo është një formë decentralizimi. Për këtë shkak, BE kërkon ngritjen e një agjencie, që do të auditojë këto projekte, për të parë nga afër punën e kryer dhe rezultatin", tha Shehu.

Në kuadër të zbatimit të reformave që lidhen me integrimin europian, qeveria ka miratuar krijimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës së BE-së. Kjo strukturë do të ndikojë në procesin e ngritjes së kapaciteteve në vend për akreditimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit të Asistencës së BE në kuadër të IPA-s. Agjencia ka si qëllim auditimin dhe verifikimin e të dhënave financiare që i dërgohen Komisionit Europian, si dhe dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e veprimtarive, që lidhen me zbatimin e programeve të asistencës dhe monitorimin e zbatimit të tyre.

Sa i takon "konfliktit" me KLSH-në, qeveria sqaron se nuk ekziston një situatë e tillë me krijimin e agjencisë. "Përfshirja e Autoritetit të Auditit në strukturën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk përmbush kërkesat e Komisionit Europian, lidhur me statusin e kësaj drejtorie. Për me tepër eksperiencat e vendeve të tjera të rajonit tregojnë se vendosja e këtyre strukturave si pjesë e KLSH është parë si një zgjidhje e përkohshme dhe më vonë ato janë krijuar si entitete të pavarura", sqaron relacioni i vendimit për krijimin e agjencisë.

Fondet IPA

Shqipëria do të përfitojë një fond prej rreth 269.4 milionë eurosh për periudhën 3-vjeçare (2009-2011), nga financimet e Komisionit Europian në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA). Fondet e akorduara në kuadër të IPA-s do të përdoren në tri fusha kryesore: reforma politike dhe ndërtimi i institucioneve demokratike, reforma ekonomike dhe aftësia për të përballuar përgjegjësitë e anëtarësisë, si edhe për bashkëpunimin ndërkufitar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›