Sherr në “party”, masakrohet me thika nga bashkëmoshatari
FIER - Një 16-vjeçar është plagosur me dy thika në këmbë nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa ishte në një mbrëmje argëtimi me shokët e klasës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se i plagosuri është shtetasi Klodian Ruko, 16 vjeç, lindur e banues në Marinëz. Ai ka qenë bashkë me shokët e klasës në lokalin e fshatit, kur ka nisur debatin me bashkëmoshatarin e tij, Arben Nuko. Debati ka vijuar edhe në mbrëmje gjatë kohës kur dy të rinjtë ishin duke pirë kafe me shokët e përbashkët. Sipas burimeve policore mësohet se 16-vjeçari Klodian Ruko ka dashur një sqarim me Nukon, por ky i fundit jo vetëm që e ka fyer dhe sharë me fjalë ofenduese, por ka arritur të sigurojë një mjet prerës, që policia thotë se ka qenë thikë dhe me të ka qëlluar në përleshje të riun, duke i shkaktuar atij dy plagë në këmbën e majtë.
Shokët, si dhe personat që gjendeshin në lokalin ku ndodhi sherri, menjëherë kanë bërë transportin e Klodian Rukos drejt spitalit. Në Repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Fierit deklarojnë se plagët e thella që kishte marrë Ruko kanë bërë që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje më të specializuar mjekësore.
Policia tha se ka mundur të identifikojë të dyshuarin pak minuta pas ngjarjes. Pas ndalimit të të riut Arben Nuka, policia tha se po heton për të gjetur motivin e ngjarjes, ndërkohë që akuza e ngritur ndaj tij është ajo e plagosjes me dashje.
Tri ditë më parë, një ngjarje e ngjashme ndodhi në zonën bregdetare të Golemit, ku një adoleshent plagosi me armë zjarri dy bashkëmoshatarë gjatë festës së Vitit të Ri që po organizonte shkolla ku mësojnë të rinjtë.
Vetëplagosje në Plazhin e Durrësit, viktima procedohet penalisht
DURRËS – Një adoleshent ka luajtur me një armë zjarri dhe është plagosur, por tani ai procedohet edhe penalisht për armëmbajtje pa leje. Kështu, telashet nuk kanë të sosur për 16-vjeçarin B.H., lindur në Burrel dhe banues në Lagjen Nr. 13 të qytetit bregdetar. Policia vendore tha dje se i mituri është gjetur rreth orës 13.30 të ditës së martë në banesën e tij në bregdet i vetëplagosur në këmbë në rrethana aksidentale.
Incidenti ndodhi me një armë pistoletë tip “Zastava” me Nr. 55967, kalibër 9 mm, të cilën i mituri e mbante pa leje. Policia tha se është bërë bllokimi i armës, kurse 16-vjeçari B. H. ndodhet i shtruar në spitalin rajonal të qytetit. Pas verifikimit të ngjarjes, ndaj të miturit nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi ndaj tij rëndon akuza “mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”.
Arrestohet 24-vjeçari, kërkohej për tentativë vrasjeje
DURRËS - Forcat e policisë së Durrësit mbrëmjen e së martës arrestuan një 24-vjeçar, i shpallur në kërkim dy muaj më parë për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Sipas burimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, i prangosuri është shtetasi Seladin Rexha, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 18 të qytetit bregdetar. Më 30 tetor të këtij viti, Rexha ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin F. Berhami. Tashmë 24-vjeçari akuzohet për dy vepra penale: “tentativë vrasjeje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit.
25 Dhjetor 2008