E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët mbyllin sportelet në kulmin e fluksit

Mijëra emigrantë kanë qëndruar në radhë kilometrike gjatë natës së të martës dhe dje paradite për shkak të punës me ritme të ngadalta nga ana e punonjësve grekë të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Për disa orë përtej traut të parë doganor, emigrantët kanë pritur në radhë t‘u afrohen sporteleve për të bërë vulosjen e dokumenteve. Edhe pse nga ana e palës shqiptare janë hapur 7 sportele për të përballuar fluksin e madh të emigrantëve, situata nuk ka pasur asnjë përmirësim për sa kohë që nga ana e palës greke nuk janë marrë masa për shtimin e sporteleve. Madje, siç kanë konfirmuar burimet pranë pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, numri është reduktuar dhe pala greke ka kryer procedurat e regjistrimit vetëm me dy sportele, duke lënë në pritje për disa orë emigrantët e shumtë që po kthehen në Greqi pas festave. Vargu dy kilometra i gjatë ka arritur deri në afërsi të fshatit Kapshticë. Të paktën 5000 shtetas kanë mundur të kalojnë në shtetin grek gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa mijëra të tjerë kanë qëndruar jashtë territorit doganor deri në mbërritjen e radhës për t‘iu afruar sporteleve vendase e më pas për të bërë kalimin drejt Greqisë. Emigrantë, të moshuar dhe fëmijë janë detyruar të qëndrojnë brenda mjeteve të renditura deri në afërsi të fshatit për të përballuar të ftohtin. Emigrantët, në pritje edhe këtë herë kanë shfaqur ankesat e tyre për ritmet tepër të ngadalta të punës nga ana e palës greke. Sipas autoriteteve të policisë kufitare janë mbajtur kontakte me palën greke, por përmirësimet në kalimet e kryera dhe regjistrimet në dalje ndihen vetëm në ndërrimin e turneve, ndërkohë që më pas për shkak të numrit të madh të shtetasve është e pamundur të shmangen radhët e gjata. "Edhe gjatë ditës së mërkurë ka pasur radhë të gjata. Makinat dhe emigrantët kanë qëndruar për disa orë përtej traut të parë doganor, pasi nga ana e palës greke është punuar shumë ngadalë. Radhët kanë qenë deri te kthesa e parë në afërsi të repartit të GOS-it. Në një kohë që ka edhe një fluks tepër të madh emigrantësh me makina dhe autobusë të shumtë, kemi kontaktuar disa herë me palën greke për të zhbllokuar këtë situatë të rënduar në kufi dhe na është premtuar se do të ketë një shtim të sporteleve, por në fakt, është punuar me dy ose tri të tilla", tha komandanti i pikës kufitare, Dritan Sheme. Ndërkohë, në Kakavijë ka pasur një situatë normale të kalimit të emigrantëve. Autoritetet në këtë pikë të kalimit kufitar bënë të ditur se ka pasur fluks të madh emigrantësh, por nga të dyja palët është punuar me ritme të përshpejtuara, duke shmangur pritjet e gjata dhe radhët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›