E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët në greva e protesta kundër largimeve nga puna

Reagimi qytetar kundër shkurtimeve nga puna që planifikon t’i miratojë Parlamenti grek, ka arritur kulmin me protestat që u zhvilluan në qendër të Athinës. 

Për shkak të tubimit të sindikatave të sektorit publik dhe privat, të punonjësve të administratës lokale dhe sindikatës së komunistëve në mesditë u bllokua qendra e kryeqytetit, ku sipas disa vlerësimeve rreth 25 000 vetë kishin dalë në rrugë me parulla në duar, për të protestuar kundër largimeve nga puna. Merrnin pjesë edhe anëtarët e SYRIZA, të cilët kërkonin largimin e qeverisë. 

Prania e policisë në protestë ishte diskrete dhe nuk u shënua ndonjë incident.

Ndërkaq në gjithë Greqinë vazhdon greva 24 orëshe, si reagim ndaj projektligjit të qeverisë që përmban masat e reja me shkurtime vendesh pune në sektorin publik. 

Spitalet dhe ambulancat punojnë me personel sigurie për shkak të grevës. Probleme kanë qytetarët edhe për lëvizjen me trenat dhe metrotë e ndërmarrjes së hekurudhave (OSE), që gjithashtu marrin pjesë në grevën 24 orëshe. Mbyllur do të jenë deri nesër bashkitë e vendit, të cilat protestojnë pas vendimit për heqjen e rojave të shkollave dhe shkrirjes së policisë bashkiake. 

Mbrëmjen e sotme para parlamentit do të zhvillohet një tubim proteste, por një i tillë më i madh do të zhvillohet nesër, ditën që do të votohet projektligji, i cili parashikon shkurtime drastike nga puna; 12 500 punonjës të administratës civile, deri në fund të këtij viti.

Reforma në administratën publike është një nga kushtet kryesore, që i janë vënë Greqisë, në këmbim të lëvrimit të kësteve të ndihmës financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›