E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ rrëzon ankimimet për Fierin, Avokati i Priftit: Vullneti i zgjedhësit u deformua

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi sot kërkesat ankimore për rezultatin e votimit në qarkun e Fierit, të paraqitura nga pesë subjekte zgjedhore.

Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane, Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë, kandidati i pavarur Dritan Prifti, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë janë pesë partitë që kundërshtojnë vendimin e KQZ-së për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Fier.

Pas shqyrtimit administrativ të çështjes, anëtarët e KQZ-së konstatuan se kërkesat ankimore nuk kanë bazueshmëri ligjore aq sa ta detyrojnë Komisionin që të investohet për të bërë rinumërim dhe rivlerësim të votave në një numër qendrash votimi të kësaj zone zgjedhore. 

Sipas vendimit të KQZ-së, ndarja e 16 mandateve të qarkut të Fierit është: 11 mandate për koalicionin e majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane" dhe 5 mandate për koalicionin e djathtë "Aleanca për Punësim, Mireqenie dhe Integrim".

Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i Dritan Priftit kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave në 10 ZAZ të Fierit, zonë ku Prifti kandidoi si deputet i pavarur. Sipas tij, në këto zona duhet të realizohet procesi i rinumërimit, për të çuar në vend vullnetin e zgjedhësve.

“Vullneti i zgjedhësit është deformuar nga një proces numërimi i realizuar në mënyrë të organizuar për të deformuar rezultatin, në dem të ankuesit dhe në favor të subjekteve të tjera”,- deklaroi përfaqësuesi ligjor i Priftit.

Por KQZ konsideroi të panevojshme rinumërimin e votave në këtë zonë zgjedhore, duke rrëzuar pretendimet e përfaqësuesit të Priftit.

Edhe në mbledhjen e sotme, përfaqësuesi juridik i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, tha se Komisioni Zgjedhor po e zhvillon procesin e ankimimit në mungesë të kuorumit. "Neni 22, pika 5 e kodit zgjedhor përcakton se mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme kur në to marrin pjesë jo më pak se katër anëtarë të saj, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit sipas nenit 24 të këtij kodi", citoi Gjonçaj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›