Grekët për pushime në Shqipëri

Gjatë këtij viti shumë grekë, veçanërisht ata që banojnë në veriperëndim të Greqisë, nuk do të pushojnë në bregdetin apo ishujt e vendit të tyre, për shkak se financat nuk ua lejojnë këtë, por janë në gjendje të kalojnë pushimet e verës në Shqipërinë fqinje.
Në një shkrim botuar në disa faqe greke, thuhet se “paketat e lira që ofrojnë shqiptarët dhe kriza që po përjeton Greqia, kanë bërë që njerëzit të kthejnë sytë kryesisht nga bregdeti i Sarandës dhe Himarës”.
Sipas informacioneve, rezervimet nga qytetarë grekë në hotelet e jugut të Shqipërisë janë rritur.
Disa persona që e kanë provuar këtë përvojë, shprehen se një nga arsyet kryesore që prej disa vitesh ata kanë zgjedhur Sarandën për pushime, është edhe fakti që ajo ndodhet shumë pranë qyteteve të tyre dhe nuk iu duhet të bëjnë udhëtim të gjatë.
Për më tepër, ata argumentojnë se në bregdetin shqiptar mund të gjenden banesa më të lira se në Greqi.
Nuk lënë pa përmendur faktin që shërbimet në Greqi kanë nivel më të lartë, por pranojnë se Shqipëria mund të ofrojë pushime me kosto të ulët, dhe japin si shembull faktin që një dhomë dyshe mund te gjendet me rreth 50 euro për një natë.