Vlorë, arrestohet i kërkuari për vrasje e rrëmbim personi
• VLORE – Policia arrestoi dje të kërkuarin për rrëmbim personi Kamber Sulce, 30 vjeç, banues në fshatin Mesaplik të rrethit të Vlorës.Arrestimi i tij është bërë për shkak se ai ka qenë i shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës se Krimeve të Rënda e cila e ka dënuar Sulcen, me 15 vjet burg për akuzën e rrëmbimit të personit dhe bashkëpunim në vrasje ndaj një personi tjetër. Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e të akuzuarit me 15 vjet burg është para disa muajsh në mungesë sepse Sulce ka mundur t’i shpëtonte disa herë arrestimit nga policia. Pas shpalljes në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, policia e Vlorës ka vepruar për të zbatuar vendimin në bazë të informacioneve operative. Sipas këtyre informacioneve, Sulce ndodhej në banesën e tij prej disa ditësh. Mesnatën e kaluar forcat e policisë janë nisur për në fshat në operacion për arrestimin e Kamber Sulces. Për arrestimin e tij policia ka marrë masa të veçanta duke kryer disa rrethime fillimisht në gjithë fshatin e më pas në banesën e të kërkuarit. Sipas burimeve të rezervuara të policisë, Sulce në momentin e arrestimit ishte bërë gati për t’u larguar sepse me sa duket ishte njoftuar nga persona që kanë qenë në dijeni të kryerjes së aksionit për arrestimin e tij. Tentativa e arratisjes së personit të kërkuar dështoi për shkak se policia kishte rrethuar gjithë zonën ku qëndronte i dyshuari. q.b