E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët shkojnë të punojnë në Gjermani

Shumë shtetas grekë, veçanërisht mjekë dhe specialistë në teknologjinë e informacionit po largohen nga Greqia drejt Gjermanisë për të punuar. Vendi që merr më shumë emigrantë grekë është Gjermania, sepse ka një diferencë të madhe të pagave dhe mundësi punësimi. Sipas të dhënave, në vitin 2010 u larguan në Gjermani 5 000 persona, në vitin 2011 u larguan 9 000 persona dhe në gjysmën e parë të vitit 2012, 15 000 persona. Aktualisht janë 6 000 mjekë grekë, që punojnë në Gjermani. Ndërsa grekët emigrojnë për shkak të papunësisë, të tjerë njerëz të dëshpëruar shpresojnë të gjejnë dhe kërkojnë punë në Greqi. 1 300 000–1 500 000 vlerësohet se është numri i të huajve të ligjshëm dhe të paligjshëm në Greqi, sipas Ministrit të Brendshëm grek. Sakaq sondazhet bëjnë të ditur se grekët janë një prej kombeve më pesimiste në botë, për shkak të mungesës së parave dhe mosbesimit të konsumatorëve. Në një kohë kur të ardhurat e grekëve janë reduktuar në masë të madhe dhe papunësia ka arritur nivele të papara, shqetësimi më i madh i tyre janë ekonomia dhe perspektiva e vendeve të punës, 4 në 10 grekë thonë se ata nuk arrijnë të kursejnë ndonjë para pas plotësimit të nevojave themelore. Ata kanë ndryshuar zakonet e tyre blerëse duke reduktuar paratë e shpenzuara për argëtim dhe duke u zhvendosur në produktet më të lira të konsumit, të cilat duket se po fitojnë terren gradualisht në tregun grek. Në Greqi, 9 në 10 qytetarë besojnë se kriza do të zgjatet dhe muajt që pasojnë. Sondazhi sugjeron se 8 nga 10 vendet më pesimiste të botës janë në Evropë, për shkak të rënies së zgjatur ekonomike. Greqia pasohet nga Italia, Portugalia, dhe Hungaria. 10 vendet më optimiste vijnë nga Azia dhe Lindja e Mesme, ku Indonezia është vendi më optimist në botë, pasuar nga India dhe Filipinet

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›