Pavijoni i Neurologjisë, ndërtesa në rikonstruksion pacientët vuajnë pasojat
Kushtet e pacientëve në Pavijonin e Neurologjisë në QSUT, janë në vështirësi për shkak të kryerjes së rikonstruksionit. Pavijoni i Neurologjisë, që prej një viti ka nisur rikonstruksionin e godinës, e cila ka vënë në vështirësi pacientët. Aktualisht, ata po trajtohen në kushte të vështira, për shkak të ndërtimeve që po bëhet në të gjitha pjesët e godinës. Në këtë pavijon, pacientët janë të detyruar të qëndrojnë në dhoma, që nuk ofrojnë kushtet e përshtatshme për një spital, i cili trajton pacientë me probleme të tilla shëndetësore. Në një dhomë mund të qëndrojnë 3 ose 4 pacientë. Por problemi më i madh qëndron se dhomat janë të kufizuara, sipas punimeve që kryhen me rikonstruksionin e godinës. Ndërsa, ata që e ndiejnë më shumë detyrën e krijimit të kushteve janë familjarët e tyre, të cilët kërkojnë t’i përgjigjen çdo kërkese të familjarëve. Ata janë të detyruar të marrin të gjitha materialet e shtrimit, si çarçafë, jastëkë, ventilator për ftohje.
Kushtet
Kushtet aktuale që ofrohen në këtë godinë janë në gjendje të mjerueshme. Mure të rëna, dhoma pa kushte të përshtatshme, e sikurse të mos mjaftonin këto, pacientët duhet të dëgjojnë dhe zhurmat e njëpasnjëshme të punimeve që kryhen. Njëkohësisht, në këtë godinë nuk mund të ofrohen brenda standardeve të gjitha kriteret e kurimit të shëndetshëm, pasi mungojnë dhomat sterile për të njëjtën arsye, që kryhen punime. Një situatë e tillë mund të bëhet shkak për marrjen e infeksioneve të ndryshme në plagë, ve atyre që janë “normale” për shkak të ekzistencës së tyre në sallat e operacioneve. Të gjitha këto probleme, çojnë në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve.
Pavijonet
Asnjë nga pavijonet e shtrimit në QSUT nuk ofron sistemin e kondicionimit të përgjithshëm të dhomave. Në vend që pacientët të kurohen, gjendja e tyre përkeqësohet dhe bëhet shkak për rreziqe të shumta shëndetësore. Të vetmet që kanë sistemin e kondicionimit janë sallat e operacioneve apo Reanimacioni. Vetëm këtu, pacientët mund të gjejnë pak fresk, por që të vijnë këtu, ose duhet të jenë nën ndikimin e bisturisë ose në gjendje më të rënë shëndetësore dhe të qëndrojnë në sallat e Reanimacionit. Në dhomat e shtrimit, pacientët kanë parë si të vetmen zgjidhje marrjen e masave nga familjarët e tyre. Ata kanë zgjidhur në rrugë personale, mënyrën e freskimit të ambientit. Në këto kushte, duhet pasur parasysh që shumica e sëmundjeve të stinës së verës, shkaktohen nga temperaturat e larta. Ndërsa, mjekët japin këshilla për qëndrimin në temperatura të ulëta dhe konsumimin e lëngjeve apo ushqimeve të freskëta.
18 Gusht 2009