Gremisja e kredive - Çfarë shkoi keq?Nga Ervin Qafmolla, Revista “Mapo”Lajmi i botuar këto ditë se sistemi bankar në Shqipëri ka regjistruar një humbje rreth 6.5 milionë euro, gjatë muajit prill, krahasuar me fitimet e muajit mars, ndonëse mund të pë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gremisja e kredive - Çfarë shkoi keq?Nga Ervin Qafmolla, Revista “Mapo”Lajmi i botuar këto ditë se sistemi bankar në Shqipëri ka regjistruar një humbje rreth 6.5 milionë euro, gjatë muajit prill, krahasuar me fitimet e muajit mars, ndonëse mund të përbëjë çudi për publikun e gjerë, nuk habit ekspertët e ekonomisë. Kambanat e alarmit kanë rënë kohë më parë, por pakkush do t’i ketë dëgjuar. Shifrat flasin vetë. Vetë raporti i radhës i Shoqatës Shqiptare të Bankave vuri në dukje se humbjet kryesisht kanë të bëjnë me kreditë problematike, të cilat kapërcyen shifrën 8% të të gjithë portofolit të kredive. Sipas këtyre të dhënave, rritja e zërit “kredi të këqija” nga viti në vit shkon deri në 186%. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se 8% e totalit të kredive në operatorët bankarë të nivelit të dytë klasifikohen si të këqija.
Një nga faktorët kryesorë të kësaj tronditjeje, siç është raportuar lidhet pikërisht me rritjen e shpejtë të kreditimit me rreth 50% nga viti në vit, duke filluar nga viti 2005. Paralajmërimet për këtë rritje frenetike nuk kanë munguar si nga Banka e Shqipërisë, ashtu dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke përfshirë në grupin e paralajmëruesve edhe ekspertë të pavarur të ekonomisë. Por rritja në vetvete nuk thotë gjë. Problemi lidhet me efektet e rritjes. Me një rritje kaq të shpejtë të kreditimit bëhet e pamundur trajnimi i stafit të bankave për t’u përshtatur me zhvillimet e forta në sektor dhe identifikimi i huamarrësve problematikë apo potencialisht të rrezikshëm. Gjithashtu, fakti që rreth 50% e kredive janë orientuar për nga sektori i ndërtimit është një problem i madh në vetvete. Revista “Mapo” veç kohë më parë ka paralajmëruar për mundësinë e fortë të një skenari të tillë, pikërisht si pasojë e rritjes drastike të kredive të këqija në sektorin e ndërtimit.
Kriza e ndërtimit goditi kreditë
Të dhënat e publikuara në “Mapo” nga vetë bankat flasin se një masë e madhe sekuestrosh të apartamenteve ka filluar të ndodhë. Shkak është rritja e konsiderueshme e huamarrësve që nuk arrijnë të shlyejnë kredinë e marrë në bankë për blerje pasurish të paluajtshme. Gjatë këtyre muajve dhe muajve që vijnë pritet që kjo valë sekuestrosh të intensifikohet nga Përmbarimi. Kjo situatë ka pasur një ndikim të rëndësishëm te sektori bankar, përveç se në statistikat e kredive të këqija dhe në masat që Banka Qendrore ka marrë si rrjedhojë. Ndërkaq, pasojat e vërteta pritet të ndjehen direkt te firmat e ndërtimit. Si rrjedhojë e situatës së krijuar, prona e sekuestruara do të nxirren në shitje me ankand, duke rezultuar në një fluks apartamentesh e pronash të tjera në treg, me çmime potencialisht më të lira nga ato që ofrohen nga vetë firmat e ndërtimit.
Por nuk dihet nëse kjo masë do të lehtësojë rreziqet që lidhen me kreditimin. Gjithashtu, kjo situatë është dëshmi në mos e shenjave të qarta të një krize ekonomike, së paku të efekteve të para të saj, kombinuar me faktorë të tjerë, si pasiguria e publikut, një menaxhim jo adekuat i sistemit të kreditimit nga institucionet shqiptare apo edhe të pasigurisë që krijohet nga afrimi i zgjedhjeve.
Kjo tablo ka të bëjë kryesisht me mbingopjen e tregut. Sipas imobiliares, Colliers International, segmenti i ndërtimit të qendrave të biznesit në Shqipëri pritet të përballet me ofertë të tepërt . Projektet në zbatim do ta rrisin ofertën në këtë treg sakaq të ngopur, me 75% brenda pak vitesh. Në këto kushte edhe e ardhmja nuk duket premtuese.
Ndikimi i krizës botërore
Rritja galopante e kreditimit në Shqipëri nuk është arsyeja e vetme e situatës në gri në zërin e kredive të këqija. Kriza ekonomike është një tjetër faktor që i kombinuar me të parin ka sjellë goditjen me të cilën përballet aktualisht sistemi bankar shqiptar. Vështirësitë që lidhen me efektet e importuara të krizës ekonomike botërore, por dhe të vështirësive të krijuara në ekonominë vendase, pavarësisht implikimeve të ekonomisë ndërkombëtare. Bankat e nivelit të dytë dëshmuan për këtë situatë krize duke marrë masa konkrete përkundrejt saj dhe pikërisht në lidhje me kreditimin. Kushtet e kredidhënies janë ashpërsuar duke rezultuar në interesa më të larta, si dhe rritje të kërkesave për kolateral. Sipas vrojtimit të fundit të BSH (Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues), bankat e nivelit të dytë kanë shtrënguar kreditimin kryesisht për biznesin dhe në një masë më të vogël për individët. Nga ana tjetër vetë bankat thonë se vetë kërkesa për kredi ka qenë e ulët ndërsa depozitat kanë pësuar rënie.
Interesat kanë filluar që tani të rriten dhe jo vetëm për kreditë e reja, por edhe për disa kredi ekzistuese. Janë në fakt disa banka që në kontratat e lidhura me huamarrësit kanë pasur hapësira për të ndryshuar interesat edhe për ato kredi tashmë të dhëna. Me shumë të ngjarë, klientët nuk e kanë ditur diçka të tillë, por dhe nëse e kanë ditur, nuk është se kanë pasur shumë alternativa. Në këtë mënyrë, bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri kanë gjetur mënyrën për të shkarkuar efektet e krizës ekonomike te konsumatorët.
Ndërkaq, muaj më parë, Banka e Shqipërisë theksoi se gjatë këtij viti ekonomia shqiptare do të kalojë në një fazë përshtatjeje, gjatë së cilës autoritetet publike duhet të realizojnë një monitorim të pandërprerë të situatës. Në fjalë të tjera, BSH bëri thirrje për një bashkëpunim të ngushtë të aktorëve politikë-bërës dhe vendimmarrës për të menaxhuar pasojat e krizës në ekonominë e vendit.
Banka Qendrore vuri në dukje se procesi i kontakteve të ngushta dhe shkëmbimit të rregullt të informacionit mes tyre, do t’i shërbejë harmonizimit të veprimeve që mund të nevojiten për zgjidhjen e problemeve të ndryshme.
Në fakt, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë tashmë disa veprime rregullative dhe operacionale të cilat synojnë forcimin e procesit mbikëqyrës dhe ruajtjen e niveleve të likuiditetit në sektorin bankar. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, BSH ka përgatitur propozimet për ndryshimin e ligjit “Për Sigurimin e Depozitave”, duke parashikuar mes të tjerash rritjen e vlerës së sigurimit dhe të kompensimit të depozitës deri në shumën 2.5 milionë lekë, si edhe heqjen e përshkallëzimit të vlerës së kompensimit. Kjo masë do t’i kontribuojë forcimit të qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe do t’i ofrojë depozituesit shqiptar një standard shumë të afërt me atë që zbatohet për depozituesit në bankat e vendeve të Bashkimit Evropian.
Vlerësimet e BSH për vitin 2009
Nga rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë, vërehet se kriteret për kreditë dhënë bizneseve dhe individëve, në përgjithësi mbeten të shtrënguara edhe për tremujorin e parë të vitit 2009. BSH vlerëson se faktorët kryesorë pas politikës shtrënguese të bankave vijojnë të jenë si në vrojtimet e kaluara; vlerësimi për situatën makroekonomike dhe faktorë specifikë të sektorit ku operojnë për bizneset; dhe gjendja financiare për individët. Në ndryshim nga vrojtimi i kaluar, kriteret për miratimin e kredive për bizneset kanë qenë më të shtrënguara se sa kriteret për miratimin e kredive të individëve. Kështu, balanca neto (përqindja neto e bankave që raportojnë lehtësim të kritereve) e ndryshimit të kritereve të kredidhënies sipas opinioneve të ekspertëve të bankave është -66% për ndërmarrjet dhe -44% për individët.
Ndërkaq, bizneset e mëdha janë më të disavantazhuara se ato të vogla në kreditim. Kriteret për miratimin e kredive dhënë bizneseve vijojnë edhe në këtë vrojtim të raportohen më të shtrënguara për korporatat se sa për bizneset e vogla dhe të mesme dhe; për kreditë me qëllim përdorimi për investime afatgjata se sa për qëllime të kapitalit qarkullues. Kriteret për kredinë e individëve janë shtrënguar në të njëjtën shkallë si për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Bazuar në opinionet e bankave kërkesa për kredi e ndërmarrjeve dhe e individëve në tremujorin e parë të vitit 2009 është ulur. Kërkesa neto (përqindja neto e bankave që kanë raportuar se kërkesa është rritur) për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është negative, për herë të parë në këtë tremujor.
Në vrojtimin e aktivitetit kreditues për tremujorin e parë të vitit 2009, ekspertë të bankave janë shprehur për një shtrëngim të standardeve për kreditë e dhëna bizneseve në një shkallë më të theksuar krahasuar me vrojtimin e mëparshëm. Diferenca neto e bankave që janë shprehur për lehtësim të kritereve është ulur në -66% krahasuar me -56% në vrojtimin e kaluar. Kriteret për kredinë dhënë korporatave dhe për kredinë me qëllim financimin e investimeve kanë qenë më të shtrënguara se sa kriteret për kredinë dhënë bizneseve të vogla e të mesme dhe për kredinë për qëllime financimi të kapitalit qarkullues.
Faktorët me ndikimin më të madh në shtrëngimin e kritereve të kredisë janë gjendja aktuale dhe e pritshme makroekonomike si dhe problemet specifike të sektorit ku operojnë firmat. Gjendja e kredive me probleme është një faktor, rëndësia e të cilit në shtrëngimin e standardeve të miratimit të kredive është rritur në tremujorin e parë të këtij viti.
Por përveçse po përballen me kushte të vështira për të përfituar kredi, vetë bizneset duket se e kanë ulur kërkesën për hua. Kërkesa neto e ndërmarrjeve për kredi është vlerësuar në rënie dhe negative për tremujorin e parë të vitit - përqindja neto e bankave që raportojnë rritje të kërkesës është -33%. Kërkesa e korporatave të mëdha është vlerësuar më e ulët se sa kërkesa e bizneseve të vogla dhe të mesme. Gjithashtu, kërkesa për kredi për qëllime investimi është vlerësuar më e ulët se kërkesa për financimin e kapitalit qarkullues. Kërkesa negative e ndërmarrjeve u ndikua, sipas opinioneve të bankave, nga kushtet e kreditimit të aplikuara nga vetë bankat si dhe nga vlerësimi që bizneset kanë për situatën aktuale dhe të pritshme ekonomike. Nga ana tjetër, nevoja për të financuar kapitalin qarkullues është një faktor që dha kontribut pozitiv në kërkesën e bizneseve për kredi.
Bankat presin lehtësim në shkallën e shtrëngimit të kritereve për miratimin e kredive, në tremujorin e dytë të vitit 2009. Për herë të parë gjatë këtij vrojtimi që nga gjashtëmujori i parë i vitit 2007 pritjet dhe vlerësimi për situatën aktuale kanë ndryshime të ndjeshme. Përqindja e bankave që presin lehtësim të kritereve në tremujorin e ardhshëm është rritur në -22% krahasuar me -50% në vrojtimin e kaluar, 44 pikë përqindjeje më e lartë se balanca për situatën aktuale.