E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, 53 000 grekë aplikojnë për punë në SHBA

ATHINE-Grekët shkundin pluhurin nga pasaportat e tyre emigrimit. Mijëra prej tyre presin rezultatet e aplikimit për kartën jeshile, si një mënyrë për të dalë nga papunësia, që po rritet cdo ditë e më shumë në Greqinë e kapluar nga kriza ekonomike. Sipas një raporti, këtë vit kanë aplikuar për kartën e gjelbër në SHBA, 5 000 qytetarë grekë më shumë se vitet e tjera.

Ndërkohë që në Greqi votohej për planin Afatmesëm të kursimeve, 53 000 grekë ishin në kërkim të ëndrrës amerikane.

Programi i emigracionit për në SHBA pezullohet në 15 korrik dhe me aplikimet e grekëve janë arritur nivele rekord.

SHBA jep çdo vit 50 000 leje të përhershme qëndrimi për shtetas nga çdo vend i botës. Aplikimet bëhen përmes internetit dhe ato u shtuan dukshëm që nga tetori i vitit të kaluar, kur situata në Greqi filloi të paraqitej e zymtë. Me të dhënat e regjistruara deri tani, është e qartë se interesi e grekëve për të emigruar në SHBA do të vazhdojë të rritet.

Mëgjithatë duket se numri i madh i kërkesave është në përpjestim të zhdrejtë me pranimin e tyre. Sipas të dhënave të vitit 2011, Qendra Konsullore në Kentaki iu dha përgjigje pozitive 62 kërkesave, ndërsa një vit më parë pranoi vetem 48 prej tyre. Mundësia e zgjedhjes është një në 1000.

Shtypi vendas shkruan se fqinjët e Greqisë kanë më shumë fat në llotaritë amerikane. Sipas të dhënave të gazetave greke, vitin e kaluar fituan kartat jeshile 2 226 qytetarë turq, 1469 shqiptarë dhe 263 qytetarë të Maqedonisë.

Lëvizja e grekëve nuk është drejtuar vetëm drejt SHBA, por edhe drejt vendeve të tjera të Evropës. “Programin evropian" deri më tani kanë plotësuar 35 349 grekë.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›