E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, 5.4% i PBB parashikohet deficiti në buxhetin e vitit 2012

ATHINE - Buxheti i vitit 2012, hartimi dhe miratimi i të cilit ishte një nga detyrat kryesore të qeverisë së përkohshme të Papadhimos, u dërgua sot në parlament për diskutim dhe votim.

Gjatë paraqitjes së projektbuxhetit në qeveri, kryeministri vlerësoi se "zbatimi i tij është një ngjarje shumë e rëndësishme për të adresuar krizën financiare në vend."

Ai u shfaq "optimist" për zhvillimet e përgjithshme në Eurozonë, dhe kërkoi që qeveria "të jetë e sinqertë, por jo alarmante," dhe t’iu kushtojë vëmendje të madhe investimeve.

Nga ana e tij ministri i Financave Venizelos, e vlerësoi buxhetin, për vetë konsensusin me të cilin u hartua, dhe garantoi se nuk do të ketë shkurtime të mëtejshme të pagave dhe pensioneve.

Gjatë prezantimit të buxhetit 2012 Venizelos tha se "buxheti për herë të parë në vitet e fundit siguron tepricë primare, që është një objektivi kryesor i programit të politikës ekonomike të qeverisë".

Buxheti i ri parashikon një rënie të deficitit, në 5.4% të PBB në vitin 2012, kundrejt një deficiti prej 9%, që u shënua këtë vit.

Inflacioni është parashikuar në një normë prej 0.6% kundrejt 2.8% të vitit 2011.

Strategjia buxhetore e qeverisë për 2012 është bazuar në shtyllat e mëposhtme:

* Implementimi i Kornizës së strategjisë financiare Afatmesme 2012-2015.

* Zbatimi i vazhdueshëm i ndryshimeve të nevojshme strukturore dhe institucionale.

* Permiresimi i sistemit të taksave dhe sigurimeve.

* Përshpejtimi i programit të privatizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›