E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, 6 maji data më e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve

ATHINE - 6 Maji vazhdon të mbetet data më e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve në Greqi. Sic del nga fjalimi i kryetarit të PASOK-ut, Evangjelos Venizelos, në mbledhjen e gjerë të kësaj partie, kjo është data kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Venizelos tha ndër të tjera se “kemi para nesh gjashtë javë punë”. 

Paralelisht, kryetarja e komisionit parlamentar për Cështjet Financiare, Vaso Papandreu, deklaroi se më 6 prill duhet të kenë përfunduar punimet e Pleniumit në prag të zgjedhjeve. 

Ndërkohë edhe Reuters shkruan se 6 Maj është data më e mundshme të zgjedhjeve në Greqi, duke iu referuar një perfaqësuesi të pushtetit i cili ka dashur të mbetet anonim.

"Asnjë vendim nuk është marrë ende zyrtarisht, por 6 maj është data më e mundshme për zgjedhjet", tha zyrtari.

BE-ja dhe FMN-ja kanë paralajmëruar Greqinë, se çdo parti që do të fitoje zgjedhjet, duhet të vazhdojë reformat e saj ekonomike dhe të mbetet besnike ndaj programit.

Sondazhet tregojnë se 59.4% e grekëve janë në favor të një qeverie të koalicionit, ndërsa 76% duan që vendi të mbetet në eurozonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›