E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Klinton: Mbështetje për daljen nga kriza

ATHINE- Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton takoi sot kryeministrin grek Jorgos Papandreu në zyrën e tij, gjatë vizitës që po zhvillon në Athinë. Zonja Hillari Klinton i përcolli kryeministrit grek përshëndetjet e familjes së saj dhe në prani të mediave, tregoi interes për një pikturë moderne, që i tërhoqi vëmendjen në zyrën e Papandreut.

Më pas biseda mes tyre u zhvillua pa praninë e gazetarëve, por pak para se të mbërrinte në zyrën e kryeministrit, zonja Klinton zhvilloi bisedime me homologun e saj grek, Stavros Lambrinidis. Me këtë të fundit ajo dha një konferencë shtypi, ku theksoi mbështetjen e plotë të SHBA për përpjekjevet e Greqisë, në mënyrë që t’i jepet fund krizës.

“Mbështesim përpjekjet e Greqisë për të dalë nga kriza” – kjo ishte deklarata që bëri sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton, menjëherë pas takimit me ministrin e jashtëm grek Stravros Lambrinidis.
"SHBA është një mik e aleat i Greqise" - tha ajo dhe shtoi: "Unë e çmoj vendosmërinë e kryeministrit Papandreu dhe punën e tij”.

Zonja Klinton theksoi se ndryshimet e bëra janë në rrugë të mbarë dhe do të sjellin rezultate. "Unë kam besim në fuqinë e popullit grek" – deklaroi ajo.

Në takim të dy Ministrat e Jashtëm diskutuan përvec krizës ekonomike, edhe situatën në Lindjen e Mesme, cështjen e Qipros dhe marrëdhëniet greko-turke.

Klinton dhe Lambrinidis nënshkruan një marrëveshje të përbashkët në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të antikave.

Në axhendën e Klinton është edhe takimi me Presidentin e Republikës Karolos Papulias dhe ministrin e Financave Evangelos Venizelos. Zonja Klinton do të vizitojë edhe Muzeun e Akropolit. Nesër ajo do të zhvillojë bisedime me kryetarin e opoztës “Demokracia e re”, Antonis Samaras.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›