Kryesia e PD-së, anëtarët që pritet të lënë karriget
Anëtarët që nuk u rizgjodhën në Këshill pritet të largohen. Pothuajse gjysma e anëtarëve të Kryesisë së vjetër rrezikojnë largimin
Eljona Ballhysa
Pothuajse gjysma e anëtarëve të Kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike pritet të lënë karriget në zgjedhjet e ardhshme. Burime nga selia blu kanë bërë të ditur për gazetën se ata anëtarë që nuk u rizgjodhën për Këshillin Kombëtar, nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë Qendrore, pavarësisht se e kanë mbajtur këtë post më parë. Ndërkaq, një pjesë e mirë e anëtarëve aktualë të Kryesisë së PD-së në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar nuk kanë marrë një numër të madh votash, duke qenë të rrezikuar për t’u rizgjedhur në Kryesi. Zgjedhjet për Kryesinë e re të PD-së pritet të zhvillohen në fund të muajit janar. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se më parë duhet që kryetari i partisë, Berisha, të thërrasë mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar për ta konstituuar këtë strukturë të lartë vendimmarrëse të partisë. Më pas, ai, në konsultim me Kryesinë e vogël të partisë, harton listën e kandidatëve për Kryesinë Qendrore. Në bazë të Statutit të PD-së, numri i kandidatëve duhet të jetë 1.5 herë më i lartë se numri i anëtarëve të Kryesisë. Duke llogaritur numrin 25 që ka Kryesia e PD-së, numri i kandidatëve që do të përzgjidhen për në kupolën më të lartë shkon në 40, të cilët merren nga lista e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Largimet
Duke u nisur nga numri i votave që kanë marrë në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Kombëtar, rrezikojnë të mos jenë pjesë e Kryesisë së re një sërë ish-anëtarësh, të tillë si Mimoza Hasekiu, Liri Dibra, Margarita Qirko, Marieta Zaçe, Maksim Cikuli, Halit Shamata e Ilir Bano. Sigurisht, pritet që në Kryesi të mos bëjnë pjesë Aleksandër Biberaj e Omer Stringa, të cilët mbetën jashtë Këshillit Kombëtar duke mos marrë votat e duhura që të futeshin në listën e 100 anëtarëve fitues. Po kështu, duke u nisur nga numri i votave duket se edhe figura me rëndësi në PD rrezikojnë të mos jenë pjesë e Kryesisë, si Arben Imami, që është një prej themeluesve të PD-së, apo deputetët Ilir Rusmali e Leonard Demi. Edhe dy ish-drejtuesit e PDR-së, të sapo rikthyer në PD, Genc Pollo e Tritan Shehu, nuk bëjnë pjesë në 25-shen e parë e më të votuarve. Ndërkaq pritet të jetë pjesë e Kryesisë kryetari i Degës së PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili nuk ishte pjesë e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, pasi kryetarët e degëve janë automatikisht pjesë e këtij forumi.
Të rinjtë
Në listën e 25 anëtarëve më të votuar të Partisë Demokratike spikasin disa emra të rinj që më parë nuk kanë qenë pjesë e këtij forumi të lartë vendimmarrës të PD-së, siç është Kryesia Qendrore. Në rast se do t’i bazoheshim këtij votimi, atëherë pritet që në Kryesinë e re të bëjë pjesë një ish-studente e Dhjetorit ’90, aktualisht deputete e PD-së, Mesila Doda. Pas saj pritet që anëtar i Kryesisë të bëhet me të drejtë vote Gerti Bogdani. Ky i fundit ka qenë pjesë e Kryesisë për shkak të postit si sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk ka pasur të drejtë vote. Bogdani bën pjesë në listën e 25 personave më të votuar të PD-së dhe pritet të jetë pjesë e Kryesisë së re. Pas tij vjen ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, aktualisht deputet i PD-së, Gent Strazimiri. Ai pasohet nga aktorja deputete Rajmonda Bulku. Pas saj vjen një ish-këshilltare e kryeministrit Berisha, aktualisht deputete, Albana Vokshi. Pjesë e Kryesisë së re pritet të jetë prefekti i ri i Tiranës, Keltis Kruja, si dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, e cila ka arritur të jetë pjesë e listës së 25 anëtarëve më të votuar të PD-së.
Të rinjtë
Mesila Doda
Gent Strazimiri
Rajmonda Bulku
Albana Vokshi
Ferdinand Xhaferri
Myqerem Tafaj
Edmond Spaho
Keltis Kruja
Ferdinand Poni
Erla Mehilli
Rrezikojnë mospërfshirjen
Arben Imami
Genc Pollo
Tritan Shehu
Leonard Demi
Besnik Mustafaj
Largohen
Mimoza Hasekiu
Liri Dibra
Margarita Qirko
Marieta Zaçe
Maksim Cikuli
Aleksander Biberaj
Halit Shamata
Ilir Bano
Omer Stringa
26 Dhjetor 2009