E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrihet pema e protestës me bidonë plastikë uji në Kombinat

Pema e protestës me bidonë plastikë uji është ngritur dje në ditën e festës së Krishtlindjes nga banorët e lagjes së Kombinatit në Tiranë. Një pemë rreth 10 metra e lartë, zbukuruar me bidonë plastikë uji, të cilët ishin bosh, u ngrit në sheshin “Garibaldi” në qendër të lagjes “Kombinat”. Banorët, së bashku me deputetin e zonës, Saimir Tahiri, e kanë ngritur këtë pemë në ditën e Krishtlindjes dhe në prag të Vitit të për të shprehur në këtë formë protestën e tyre për mungesën e ujit dhe energjisë elektrike në këtë lagje të kryeqytetit. Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, nënvizoi se dhe qytetarët e Kombinatit kanë të drejtë, njësoj si kryeministri i vendit, të festojnë. “Sot është festë për të gjithë. Fatkeqësisht banorët e Kombinatit kanë dy arsye për të festuar më pak se të tjerët, dhe kjo sepse iu mungojnë dritat, iu mungon energjia elektrike dhe uji. Është kjo arsyeja pse edhe pemën e Vitit të Ri këtu në Kombinat e kemi dekoruar simbolikisht me bidonë uji bosh”, - u shpreh deputeti i zonës, Tahiri. Ai theksoi se dhurata më e mirë që mund t’u bëjë kryeministri dhe qeveria banorëve të Kombinatit është të përmbushin detyrimin e tyre, për t’i sjellë ujë dhe drita qytetarëve të Kombinatit, të cilët, sipas tij, e meritojnë të festojnë të barabartë dhe të jetojnë të barabartë me të njëjtat kushte si dhe kryeministri i vendit.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›