E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Papandreu: U fitua një betejë e vështirë

ATHINË- Kryeministri grek Jorgo Papandreu shprehu kënaqësinë sot që grekët fituan një betejë të vështirë pas miratimit pak më parë në parlament të planit të masave shtrënguese që kushtëzonte vazhdimin e ndihmës financiare ndërkombëtare për vendin.

"Bëmë dhe fituam një betejë të vështirë", deklaroi Papandreu i cituar nga një komunikatë, në hapje të mbledhjes së këshillit të ministrave.

Ai komentoi miratimin nga parlamenti, dje dhe sot gjatë dy votimeve radhazi të një projektbuxheti të masave shtrënguese dhe të ligjit për zbatimin e tij, të kërkuar nga zona euro për të shmangur falimentimin e vendit të zhytur në borxhe. Këto dy votime të arritura pavarësisht kundërshtimit të masave, i bënë të mundur vendit të kapërcejë një etapë të rëndësishme në një rrugë të vështirë", shtoi Papandreu. "Kemi përpara beteja të tjera të rëndësishme dhe shumë të vështira për të dalë nga kriza dhe për ta ndryshuar vendin", shtoi ai.

Ai përmendi veçanërisht reformën e arsimit të lartë rreth të cilës do të diskutohet në këshillin e ministrave sot. Zona euro i kishte dhënë afat Greqisë deri më 30 qershor për të votuar planin e ri të rimëkëmbjes, përpara se të vendosë për ta shpëtuar atë nga falimentimi i menjëhershëm dhe të përgatisë një plan të ri shpëtimi me afat më të gjatë.
(m.a/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›