E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, Papandreu i kërkon presidentit ndihmë për tryezën politike



Kryeministri grek, Jorgos Papandreu i kërkoi presidentit të vendit Karlos Papulias mbështetjen dhe mbledhjen e të gjithë liderëve politikë të vendit, për të marrë përkrahjen e të gjithë parlamentit, për kalimin e planit të masave që parashikojnë daljen nga kriza. Ky veprim erdhi pas kritikave të partive opozitare për mosangazhimin në vendimet e rëndësishme të kohëve të fundit. “Demokracia e Re” që është edhe partia më e madhe opozitare, ka kërkuar mbledhjen e një tryeze politike para vendimit BE-FMN që parashikon dhënien e një borxhi prej 110 miliardë eurosh. Ndërsa Partia Komuniste është e mendimit se takimi mes partive nuk do të kishte asnjë kuptim, pasi të gjitha vendimet janë marrë nga qeveria.
Partitë opozitare nxisin masën
Të gjitha partitë opozitare janë përpjekur të kritikojnë qeverinë, duke u shprehur se masat e përcaktuara prekin sektorin privat. Kryetarja e Partisë Komuniste, Aleka Papariga ka drejtuar një apel për një “front mbarëpopullor”, kurse kreu i partisë së majtë Sinaspismos, Aleksis Cipras, tha se masat e shpallura “fusin vendin në një tunel të errët prej dy dekadash” dhe kërkoi sërish referendum popullor. Me tone të ashpra, që e bëjnë të pamundur arritjen e një aleance politike, aq të vlefshme në këtë situatë, ishte dhe reagimi i Samaras, kreut të partisë më të madhe opozitare të Neodemokracisë. “Ndodhemi para pohimit të një “Vaterloje” të vërtetë parashikimesh dhe politikash të qeverisë. “Një qeveri e dobët me një rezultat të dobët”, ishte reagimi i kreut nacionalist Karaxhaferis. Të gjitha këto reagime e lënë qeverinë, të vetme në kalvarin që sapo ka nisur dhe nuk dihet se si do të përfundojë.
Merkel: “Ndihma, për të stabilizuar euron”
Pasi qeveria gjermane ka dhënë dritën e gjelbër për ndihmën ndaj Greqisë, në vazhdim pritet vendimi i Bundestagut dhe i Këshillit të landeve për vënien në dispozicion në tri vitet e ardhshme të kredive me një shumë prej 22,4 miliardë eurosh. Parlamenti dhe këshilli i landeve synojnë ta mbyllin procedurën ligjore deri të premten me një procedurë të përshpejtuar. Sipas kancelares gjermane, Angela Merkel, kreditë e emergjencës për Greqinë do të stabilizojnë euron në tërësi. “Premisa për një ligj të tillë u krijua nga një situatë emergjence, kur Greqia praktikisht nuk kishte më akses në tregjet finaciare dhe nga kjo situatë do të kishte pasoja stabiliteti i euros. Reagimi ynë në formën e ligjit nuk do të thotë vetëm ndihmë për Greqinë, por edhe stabilizim të euros, me këtë ndihmojmë edhe njerëzit në Gjermani”. Vendet e Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i japin Greqisë kredinë prej 110 miliardë eurosh.
Starton greva 48-orëshe
Pas masave të rrepta të qeverisë greke, ditën e sotme, vendi helen do të paralizohet nga greva 48 orëshe e punonjësve të sektorit publik. Protestuesit kundërshtojnë marrjen e ndihmës të ofruar nga Gjermania dhe vendet e tjera, si dhe uljen e pagave, pensioneve dhe rritjen e taksave. Masat e marra nga qeveria janë cilësuar “mizore dhe brutale”. Ditën e djeshme kanë nisur grevën, punonjësit e bashkive. Nga ana tjetër, kryeministri Papandreu ka thënë se anulimi i projektit është i pamendueshëm për të shpëtuar vendin nga falimentimi edhe pse shoqatat e sindikatat e akuzojnë se po e shtyn vendin drejt një katastrofe sociale. Dy ditë më parë, qeveria greke ra dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe me Bashkimin Europian për arritjen e një marrëveshjeje për ndihma financiare prej miliarda eurosh. Marrëveshja kërkon sipas kryeministrit Jorgos Papandreu “sakrifica të mëdha”, përndryshe vendi do të falimentonte.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›