Qeveria gjermane miraton paketën e shpëtimit për Greqinë
Qeveria e kancelares gjermane Angela Merkel miratoi paketën e shpëtimit për Greqinë me një kontribut prej 22.4 miliardë euro. Qeveria shpreson se projektligji mbi këtë plan, i kundërshtuar nga shumica e gjermanëve do të miratohet nga parlamenti nga e premtja. Gjermania është kontribuuesi më i madh për një paketë prej 110 miliardë euro që do të jepet gjatë tre viteve. Ndihma e ka për qëllim që të mbajë krizën e borxhit grek të papërhapur në ekonomitë e tjera të dobëta të eurozonës dhe të mbajë të fortë euron. Ministri i Jashtëm Italian Franko Fratini tha se paketa e sotme erdhi shumë vonë për shkak të pavendosmërisë së Gjermanisë.
Franca dhe Gjermania, plan për forcimin e monedhës së përbashkët europiane
Pas krizës financiare greke, kancelarja gjermane, Angela Merkel do të ndërmarrë masa drastike për forcimin e monedhës evropiane. Shtetet e eurozonës, të cilët shkelin limitin e deficitit buxhetor të vendosur nga BE, do t'u hiqet përkohësisht e drejta e votës në Bashkimin Europian. “Ndihma pa fund, këtë nuk do ta dojë askush”,- ka thënë Merkel. Gjermania dhe Franca, janë dakord, që në vijim të merren këto masa. Madje zyrtarë të qeverisë franceze kanë deklaruar se po punojnë së bashku për stabilitetin e euros. “Për këtë arsye duhet të merren masa për një mbikëqyrje më të mirë të ekonomisë nga zonën e euros”,- është shprehur një zëdhënës i qeverisë franceze, pas një telefonate mes Merkelit dhe Presidentit francez, Nicolas Sarkozy.
4 Maj 2010