E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare dhe autocensura, dy armiqtë e medias

Reporterë Pa Kufij ekzaminon parametrat e lirisë së medias

Helle Jeppessen.

Organizata Reporterë pa Kufij publikon çdo vit listën për situatën e lirisë së shtypit në botë. Megjithëse indeksi përpilohet çdo vit nga e para, lista përmban pak a shumë të njëjtët shkelës të lirisë së mediave. "Çdo njeri ka të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të shpallur, pa u kontestuar mendimet dhe për të marrë dhe shpërndarë informacione dhe ide me të gjitha mjetet e komunikimit"

Kështu shkruhet në nenin 19-të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut. Bërja publike e informacioneve dhe mendimeve, kjo është në shekullin e 21-të detyra më sublime e shtypit. Por kjo detyrë mund të realizohet vetëm me një shtyp të lirë, që ka mundësi të raportojë pa censurë, frikësime dhe përndjekje.

Çdo vit, në tetor organizata Reporterë pa Kufij publikon një listë për situatën e lirisë së shtypit në të gjithë botën. Një indeks, në të cilin 175 vende renditen në bazë të vlerësimit për lirinë e shtypit, që ekziston në to. Në bazë të kësaj renditjeje është një pyetësor me 42 kritere, të cilin e plotësojnë organizata partnere në vendet përkatëse. Veç kësaj, shkencëtarë, juristë, veprimtarë të të drejtave të njeriut dhe korrespondentë në vendet përkatëse marrin pjesë në anketim. Pyetjet kanë të bëjnë me lloje të ndryshme të shkeljes së lirisë së mediave, si censura, konfiskimi i numrave të gazetës, kontrollet e redaksive dhe të zyrave, por edhe represionet si arrestimet, vrasjet, cenimet fizike dhe kërcënimet. Këtu shënohet edhe fakti, nëse dorasit shpëtojnë pa u ndodhur gjë.

Ajo, që verifikohet, nuk është vetëm shtypja e drejtpërdrejtë e shtypit të lirë. Pyetësorët përmbajnë edhe pyetje për situatën financiare të mediave, për auto-censurën, për ndikimin e institucioneve qeveritare ndaj medieve dhe pjesën e medieve të kontrolluara nga shteti, për shembull nëpërmjet monopoleve shtetërore në fushën e radios dhe të televizionit. Veç kësaj vlerësohet fakti që sa të lira janë mediet për të siguruar informacione dhe sa i lirë është aksesi në medie në vend. Reporterët pa Kufi verifikojnë në pyetësorë veç kësaj, nëse mediat kërcënohen nga organizata jo-shtetërore, si për shembull nga milicë të armatosur, palët e konfliktit në luftën civile, organizata ilegale, ose grupe të tjera interesi.

Në bazë të indeksit të këtij viti, (që përfshin periudhën 1 shtator 2008 - 31 gusht 2009), rezultatet më të mira i kanë Danimarka, Finlanda, Irlanda, Norvegjia dhe Suedia. Por megjithëse lista përpilohet çdo vit nga e para, ajo përmban gjithmonë të njëjtat vende problematike. Në vendet 171 deri 175 janë Birma, Irani, Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea. Kina zë vendin e 168-të, Rusia zë vendin e 153-të. Gjermania zë vendin e 18-të, pas Japonisë dhe Australisë, kurse SHBA zënë vendin e 20-të, së bashku me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe.

Organizata Reporterë Pa Kufij thekson shprehimisht, se indeksi nuk është indikator për cilësinë e raportimit në vendet përkatëse. Ai përmend thjesht kushtet për lirinë e shtypit.

Marrë nga Dojçe Vele

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›