E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat nga taksat dhe tatimet, në tre muaj vetëm 4.1 për qind rritje

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe akcizat kryesonin listën e taksave që kanë pësuar rënie

Ervin KOÇI

Niveli i të ardhurave të qeverisë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjatë tremujorit të parë të këtij viti, paralajmëron se Shqipëria mund të ketë përjetuar tremujorin e dytë radhazi me rënie ekonomike. Të dhënat e fundit të bëra publike nga Ministria e Financave, tregojnë se qeveria arkëtoi 25.4 miliardë lekë TVSH në periudhën janar-mars 2010, ndërsa pati arkëtuar 24.4 miliardë lekë një vit më parë. Rritja e të ardhurave nga TVSH-ja është vetëm 4.1 për qind, por duke marrë parasysh rritjen e taksave të akcizës, efektin pozitiv në të ardhurat doganore nga rënia e vlerës së lekut, si dhe normën e lartë të inflacionit të regjistruar gjatë kësaj periudhe, të ardhurat reale të qeverisë kanë pësuar rënie neto. Gjatë viteve të shkuara, të ardhurat e qeverisë nga TVSH-ja janë rritur zakonisht me 7-9 për qind, gjë që ka qenë pasojë e rritjes ekonomike reale prej 5-6 për qind dhe rritjes së inflacionit me 2-3 për qind. Kjo gjë nuk ka ndodhur në dy vitet e fundit. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mat edhe vlerën e mallrave të shitur në ekonomi, gjë që pasqyron ecurinë e përgjithshme të vendit. Prodhimi i Brendshëm Bruto sipas Institutit të Statistikave ra me 0.8 për qind në vlerë reale gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009, ndërsa të ardhurat e qeverisë nga TVSH-ja tregojnë se tendenca negative mund të ketë vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti.
TVSH-ja
Administrata Doganore ka qenë sektori më problematik në tremujorin e parë të vitit, e cila nuk ka mundur të realizojë objektivin e vendosur nga MF-ja. Në total, për periudhën janar-mars, sipas MF-së, kishte mangësi me rreth 5 miliardë e 482 milionë lekë (54 milionë dollarë), ose realizim në masën 93 për qind. Por MF-ja ka sqaruar se shifrat kanë qenë operative, pra jozyrtare. Konkretisht, nga Doganat, niveli i arkëtimeve ishte rreth 49 miliardë lekë, nga 52.5 miliardë që ishte plani i qeverisë, me një realizimin në nivelin e 93.6 për qind. Pothuajse në të gjitha llojet e taksave, si tremujor të mbledhura së bashku, shikohet rënie e arkëtimit. Për të gjithë vitin 2010, qeveria i ka vendosur vetes detyrën për të mbledhur rreth 360 miliardë lekë (ende nuk është aprovuar plani i rishikimit të buxhetit që i pakëson të ardhurat me 30 miliardë lekë), ndërsa deri tani si tremujor është realizuar vetëm 20 për qind. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksa që identifikon aktivitetin ekonomik të një vendi dhe treguesin e performancës, paraqet uljen më të madhe të arkëtimeve. Gjithnjë si tremujor, TVSH-ja nga doganat dhe tatimet rezulton me minus 1.6 miliardë lekë, ose me realizim 93.8 për qind, krahasuar me planin e qeverisë, kurse me vitin 2009, del me rritje rreth 1 miliard lekë. Duke bërë krahasime me vitin e kaluar, periudha janar-mars rezulton me rritje në totalin e të ardhurave, me rreth 400 milionë lekë, ndërsa doganat dhe tatimet, me 1.2 miliardë lekë.

Të dhënat
INSTAT-i pritet të publikojë vlerësimin paraprak për PBB-në e tremujorit të parë, rreth fillimit të muajit korrik. Sipas logjikës europiane, kur Prodhimi i Brendshëm Bruto reduktohet për dy-tremujorë radhazi, atëherë ajo ekonomi konsiderohet në recesion. Parashikimi për këtë vit është që ekonomia të rritet me 2-3 për qind në terma reale, por rimëkëmbja besohet se do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit, ku shpresat më të mëdha bazohen te sezoni turistik veror. Statistikat e qeverisë raportojnë edhe rënie të fitimeve të kompanive. Në tremujorin e parë të vitit 2009, kompanitë patën paguar 5.4 miliardë lekë tatim-fitimi, ndërsa këtë vit janë paguar vetëm 5.1 miliardë.

Shqipëria, deficit buxhetor më të lartë se rajoni

Shqipëria ka deficitin buxhetor më të lartë se gjithë rajoni, nëse i referohemi të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Gjatë paraqitjes së fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani vuri në dukje se deficiti buxhetor për vitin 2009 ishte 7.1 për qind e PBB-së. Ndërkohë, nëse i referohemi rajonit, sipas një shkrimi të agjencisë "Fokus News", Maqedonia ka deficitin e vitit 2009 në nivelin 2.7 për qind e ndjekur nga Kroacia me 3 për qind të PBB-së, Serbia me 4.5 për qind dhe e fundit Sllovenia me 5.5 për qind.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›