Raporti i BSH-së: Kreditë merren për të ngrënë dhe paguar borxhet
Ervin KOÇI
Kreditë që janë dhënë nga sistemi bankar kohët e fundit kanë ndryshuar destinacionin e tyre. Edhe pse një pjesë janë marrë për t’u investuar në sektorin imobiliar ato realisht po përdoren nga klientët për nevoja më imediate, çka nënkupton se një pjesë e mirë e kredive po përdoren për të ushqyer familjet ose për të paguar borxhe. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, kreditë më të keqpërdorura janë kryesisht kreditë e vogla ose të njohura si konsumatore, edhe pse gjatë këtij viti, bankat e nivelit të dytë e kanë bllokuar thuajse 100 për qind këtë lloj shërbimi. Por ato që vijojnë të japin kredi konsumatore dhe sidomos në qytetet e ndryshme të vendit dhe në zonat rurale janë unionet e kursim-kredive, të cilat kanë edhe procedura më të thjeshta për marrjen e kredive. Nga statistikat vërehet gjithashtu se në Tiranë, individët paraqiten te bankat para së gjithash për blerje banese, ndërsa nëpër rrethet e tjera me përjashtim të Durrësit e Vlorës, shumica e kredisë tërhiqet për të mbuluar nevojat familjare për konsum, kryesisht blerje makinash të përdorura apo mobilim shtëpish. Shpërndarja e kredisë sipas rretheve është njëkohësisht pasqyrë e disnivelit ekonomik të akumuluar gjatë viteve të fundit dhe mungesës së kushteve të sigurisë për aktivitet normal kredidhënieje jashtë qyteteve të mëdha.
Sistemi bankar
Sistemi bankar shqiptar është zgjeruar gjatë dekadës së fundit me mbi 500 degë dhe agjenci bankare në të gjithë vendin, por në drejtim të kreditimit duket se aktiviteti ka mbetur i kufizuar në Tiranë dhe në qytetet kryesore. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë së publikuar së fundmi, në drejtim të kredisë për individë, 67 për qind e totalit është akorduar në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa pjesa tjetër e vendit është përgjegjëse për vetëm 23 për qind. Në këtë mënyrë, më pak se një e treta e popullatës së vendit ka tërhequr dy të tretat e kredisë totale të dhënë nga bankat, duke e bërë një pjesë të shqiptarëve qytetarë të klasit të dytë në këtë drejtim. Në Shqipëri, deri në fund të vitit të kaluar, ishin akorduar 140 miliardë lekë kredi për individët, (rreth 1 miliardë euro), ku më shumë se gjysma është tërhequr për blerje banesash, por banorët e Tiranës janë përgjegjës për 59 për qind të totalit të kredisë për individë, pavarësisht se në kryeqytet jetojnë më pak se një e katërta e banorëve të vendit.
Shërbimet bankare
Aksesi në shërbimet bankare analizohet gjerësisht në botë si një nga parakushtet për zhvillim normal të një rajoni. Kushtet e jetesës në qytetet dytësore të Shqipërisë u rrënuan pas rënies së komunizmit, ku shumë qytete u zhytën në varfëri dhe papunësi masive. Por gjatë viteve të fundit duket se është rikthyer interesi për të jetuar dhe investuar edhe jashtë Tiranës e Durrësit. Statistikat e BSH-së tregojnë se plot 20 miliardë lekë (rreth 140 milionë euro), janë dhënë si kredi për blerje banesash në Lezhë, Shkodër, Fier, Elbasan apo Korçë.
Kreditë e qeverisë, nga interesat e lehtësuar në ato tregtare
Qeveria shqiptare ka tërhequr deri më sot kredi me interesa të lehtësuar nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe dy kredi tregtare të njohura si “kredi sindikale”, që u lëshuan nga grupe bankash vendase dhe të huaja. Njëra prej këtyre kredive me vlerë 200 milionë euro, u tërhoq pas negociatash direkte me një grup bankash dhe interesi u rrit me ritëm galopant nga një fazë në tjetrën. Por problemi më i madh duket se nuk është vetëm interesi i lartë, por edhe diversifikimi i blerësve. Kur ke vetëm pak kredidhënës, është gjithmonë rreziku që të mbetesh peng i tyre kur të vijë koha për shlyerjen e borxhit. Për këtë arsye, qeveria synon të emetojë eurobonde me vlerë nga 50 mijë deri në 99 mijë euro, të cilat teorikisht do të blihen nga një numër i madh investitorësh. Në këtë rast, interesi përcaktohet nga tregu i hapur dhe jo nga negociatat direkte.
4 Maj 2010