E Diel, 1 Nëntor 2026

AMF, rritet interesi për pensionet vullnetare



Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në raportin e tremujorit të këtij viti konstaton një rritje të interesit për pensionet vullnetare, por gjithsesi tregu mbetet i kufizuar. "Tregu i pensioneve vullnetare, pavarësisht rritjes së kontributeve dhe numrit të anëtarëve për periudhën, janar-mars 2010, vazhdon të mbetet ende një treg i vogël. Rritja e vlerës së kontributeve dhe numrit të anëtarëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, është përkatësisht në masën 42.20% dhe 14.93%, ndërsa po të krahasohet me fundin e 2009-ës, kjo rritje është përkatësisht në masën 11.2% dhe 1.3%" thekson AMF.

Ujësjellësit, fillon zbatimi i programit 10.7 milionë euro

Këtë javë fillon zbatimi i programit "Furnizimi me ujë i zonave rurale", që financohet nga banka gjermane “KfW”. Ky program konsiston në ndërtimin e 28 skemave të ujësjellësve ruralë në 50 fshatra të qarqeve Dibër, Shkodër dhe Kukës, duke kontribuar në përmirësimin e jetës së rreth 50 mijë banorëve. Vlera e këtij programi arrin në 10.7 milionë euro. Fondi Shqiptar për Zhvillim nënshkroi kontratat me kompanitë zbatuese të projektit, i cili do të furnizojë popullsinë e fshatrave të përfshira në program me sasi të mjaftueshme uji të pastër higjenikisht.

Karburantet, një fuçi i kalon 86 dollarët

Karburantet duket se do të vijojnë të rriten. Ajo çka Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure në vend parashikoi, duket se shumë shpejt do të prekë xhepat e shqiptarëve. Nëse u paralajmërua për një rritje të çmimit të karburanteve kjo ka filluar në tregjet e huaja, ku një fuçi naftë u shit me 86 dollarë. Duke qenë se një pjesë e mirë e karburanteve që tregtohen në vend importohen, atëherë rrjedhimisht çdo ndryshim në bursë reflektohet edhe Shqipëri. Prej kohësh, çmimi në tregjet e huaja nuk kalonte 85 dollarë për fuçi, por duket se rritja e fundit do të reflektohet shumë shpejt në tregun e pakicës.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›