E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Pirro Dhima: Kandidova, si detyrim ndaj Atdheut tim

ATHINE - Pas njoftimit se Pirro Dhima është në krye të listës së kandidatëve të PASOK për zgjedhjet parlamentare, në shumë rrjete sociale u bënë edhe disa komente tallëse dhe ironike, ku u botuan gjithashtu edhe foto satirike që lidhen me këtë kandidim.

“Pirro hyri në politikë që të mbajë peshën e borxheve”, “Pirro shpreson të ngreje PASOK-un nga llumi ku është futur”, "Pesha e borxheve është e madhe edhe për Pirron", shkruajnë komentuesit në blogje të ndryshme.

Menjëherë pas këtyre, fituesi i 4 medaljeve olimpike, Pirro Dhima përmes faqes së tij personale në Facebook, ka shpjeguar se përse pranoi propozimin e kryetarit të PASOK-ut. 

"Në vend që të ankohem, guxova të ekspozohem. Vetëm nëse dalim në ballë dhe punojmë bashkarisht, ne mund të shpëtojmë vendin!", shkruan Pirro Dhima. "Më besoni, ishte ndoshta vendimi më i vështirë që kam marrë në jetën time. Propozimi është natyrisht, i nderuar dhe përgjegjësia e madhe, ndërkohë që në të kaluarën propozime të tilla i kisha refuzuar. Por nuk m'u duk e arsyeshme ta refuzoja tani, që politika është poshtëruar kaq shumë. Kjo ka të bëjë me logjikën time, me ndjenjën time ndaj detyrës dhe ndaj atdheut”, shkruan Dhima dhe vazhdon: 

“Unë zgjodha për të shkuar tani në frontin e përgjegjësisë, sepse kam diçka për të fituar nga politika. Dhe ndoshta unë mund të ofroj më shumë sesa do të humbas. Nëse politika është mjeti me të cilin ndryshojmë gjërat, atëherë duhet të marr pjesë. Ndihem i detyruar për të shkuar përpara, për të përfaqësuar Greqinë, gjë që mund të realizohet edhe kur kushtet janë të ashpra dhe shanset kundër saj. Më lejoni t’ju kujtoj të gjithëve se puna e vështirë, kërkon ndërgjegje dhe angazhim që të arrijmë rezultate. Përpjekja kombëtare duhet të fillojë tani dhe ajo duhet të dalë mbi partitë dhe ambiciet personale. Emri e Greqisë është i madh dhe duhet të mbetet lart. Kjo është e rëndësishme. Ëndrrat e mia personale janë plotësuar. Unë shkoj në Parlament për të mobilizuar forcat sociale, për të përcjellë aty zërin e të rinjve dhe komunitetit, për t'i bindur të njerëzit se Greqia, e cila tani po shtrëngon dhëmbët, në fund mund t’ia dalë”. 

Pirro Dhima kryeson listën e deputetëve të PASOK, ndërkohë që në listat e kandidatëve të partive politike greke, figurojnë edhe disa minoritarë të tjerë grekë nga Shqipëria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›