E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penalltitë përcaktuan, Chelsea përballë do kenë Bayern

TIRANE-Në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu, Real Madridi dhe Bayern Munichu kanë zhvilluar një finale para finaleje, e cila përcaktoi finalistin e dytë të edicionit të sivjetshëm të garës më të madhe evropiane për klube.

Në finalen e Munihut kundër Chelsea do të luajë Bayern Munichu.

Skuadrat dje zhvilluan një pjesë të parë fantastike, me raste të shumta shënimi, në të cilën u realizuan tre gola.

Pas një goditjeje të Di Marias, David Alaba ndërhyri në rolin e portierit, duke i dhënë një penallti klubit mbretëror. Cristiano Ronaldo ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë ( minuta e 6).

Menjëherë pas, Arjen Robben pati një rast të jashtëzakonshëm shënimi, mirëpo e dërgoi topin mbi portë dhe vet u fut në rrjet.

Shumë shpejtë erdhi edhe goli i dytë i madrilenëve. Portugezi Ronaldo pranoi një top nga Mesut Oezil për të dërguar në ekstazë tifozët vendas (minuta e 14).

Në vazhdim, skuadra mysafire luajti më mirë duke bërë presion të vazhdueshëm dhe duke rrezikuar disa herë portën vendase, dhe pas disa rasteve arriti të shënojë.

Mario Gomez u ndal në mënyrë të palejuar në zonë nga Pepe dhe nxori një penalti. Arjen Robben e mposhti Casillasin nga pika e bardhë, edhe pse portieri spanjoll për pak sa nuk ia mohoi golin (minuta e 27).

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, ra tempi i lojës dhe skuadrat ishin mjaft të kujdesshme duke u përpjekur që të mos gabojnë.

Benzema, Gomez e Ronaldo, janë lojtarët të cilët patën disa nga rastet që mund të përmendim gjatë zhvillimit të kësaj pjese.

Qendërsulmuesi i Bayernit pati edhe një rast të shkëlqyer në pesë minutat e fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, por nuk reagoi aq shpejt sa duhej.

Pas 90 minutave rezultati ishte 2-1 në favor të Los Blancos dhe duke llogaritur rezultatin identik në favor të bavarezëve në Allianz Arena, duhej që të zhvilloheshin vazhdimet për ta gjetur fituesin.

Pjesa e parë e vazhdimeve nuk dha shumëçka për të shijuar, pasi që vërehej lodhja e lojtarëve të të dyja ekipeve. Në periudhën e dytë të vazhdimeve, ekipi vendas ishte më kërkues ndaj golit dhe pati iniciativën, megjithatë nuk mund të ndërtonin raste të vërteta shënimi. Kështu, u desh që të ekzekutoheshin penalltitë për ta përcaktuar finalistin e dytë.

Pas ekzekutimit të penalltive më të efektshëm u treguan lojtarët e skuadrës së Bayern Munichut të cilët në finalen e 19 majit në Allianz Arena do të luajnë kundër Chelseat.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›